Kamenicë, një grua lind fëmijën në pazar

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, në profilin e tij në Facebook ka njoftuar se një grua ka lindur në tregun e qytetit rreth orës 17:00.

Ai ka falënderuar stafin mjekësor, i cili është angazhuar për kontroll për nënën dhe beben, gjithashtu dhe qytetarin që e ka lajmëruar rastin.

“Sot rreth orës 17, një qytetar na njoftoi për një lindje jo të zakonshme në tregun e qytetit. U njoftuam që nëna dhe fëmija janë në rrugë. Menjëherë u angazhuam ta gjejmë nënën dhe fëmijën dhe me ekipin mjekësor shkuam në shtëpi, ku iu bë kontrolla. Nëna dhe fëmija janë shëndosh. Falënderoj qytetarin Fekim Dalipi që tregoi qytetari të dalluar duke lajmëruar rastin, dhe mjekun Latif Sylaj e infermieren Alba Latifi për përgjegjshmërinë profesionale. Jeta e rëndë që e bën komuniteti rom në vendin tonë nuk mund të neglizhohet. Të gjithë qytetaret pa dallim përkatësinë meritojnë vëmendjen tonë”, ka shkruar Kastrati.

Kastrati po ashtu ka thënë se komuna është duke u angazhuar në ri funksionalizimin e gjinekologjisë.