Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

Kamenica sot shënoi Ditën e Çlirimit

Komuna e Kamenicës shënoi sot Ditën e Çlirimit të saj me aktivitete kulturore e sportive.

19 vjetori i Ditës së Çlirimit të Kamenicës ka nisur me seancë solemne të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Bajram Mavriqi, për të vazhduar pastaj me aktivitete tjera.

Ai tha se kjo ditë duhet t’u shërbejë si një rikujtesë për secilin, që të vazhdojnë të punojnë e të angazhohen që lirisë së arritur t’i japin jetë e kuptim.

“19 vite më pare, falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificës së gjithë popullit shqiptar, arritëm të shpallim të çliruar Komunën e Dardanës”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit, Bajram Mavriqi.

Sipas tij, kjo festë nuk do të ishte e mundur pa një angazhim, përpjekje dhe punë gati njëshekullore të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati bashkë me kabinetin e tij dhe me asambleistët kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë varrezave të dëshmorëve.

Në kuadër të kësaj dite është zhvilluar edhe turniri për futboll të vogël në palestrën sportive të qytetit, ndërkaq më vonë ka pasur edhe koncert për nder të Ditës së Çlirimit të komunës së Kamenicës.