Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati

Kamenica fillon manifestimin tradicional 'Lulëkuqet e Prillit'

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati bashkë me drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Arijanit Ibrahimi, si dhe nxënësit e shkollave fillore, mbollën sot lule të kuqe pranë varrezave të dëshmorëve.

Kastrati ka deklaruar se me mbjelljen e këtyre luleve, ka filluar edhe manifestimi tradicional “Lulëkuqet e Prillit”.

“Me mbjelljen e luleve të kuqe pranë varrezave të dëshmorëve, filluam manifestimin tradicional “Lulëkuqet e Prillit”, që organizohet për nder të përvjetorit të Betejës së Marecit dhe të gjithë dëshmorëve të rënë nga Komuna e Kamenicës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Arijanit Ibrahimi ka thënë se ndjehet i kënaqur me organizimin e këtij manifestimi.

“Ndjehem shumë mirë që sot filloi ky manifestim dhe që mbjelljen e këtyre luleve po e bëjmë bashkë më nxënësit e shkollave fillore”, tha Ibrahimi.

Komuna e Kamenicës ka njoftuar se për këtë manifestim do të ketë edhe aktivitete të tjera në ditët në vijim.