Kamenica e dyta në Kosovë me platformë digjitale

Komuna e Kamenicës së shpejti do të filloj së zbatuari platformën online “Kamenica Open Data”, si komuna e dytë në Kosovë pas Prishtinës, por e para për këtë platformë në Android dhe IOS.

Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati së bashku me drejtorin ekzekutiv të organizatës General Youth Education of Kosovo (GYEK), Alutrim Dërmaku, patën një takim informues rreth kësaj platforme që do të filloj së zbatuari së shpejti edhe në Kamenicë.

Përmes kësaj platforme “Kamenica Open Data”, do të bëhet pasqyrimi i të gjitha informacioneve të mbledhura nga drejtoritë komunale dhe do të bëhet klasifikimit në disa kategori ku do të përfshihet edhe puna e kryetarit të komunës.

“Përmes transparencës dhe qasjes së lehtë në shërbime komunale, do mundohemi jashtëzakonisht shumë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucione publike”, tha kryetari Kastrati.

Ky projekt është financuar nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe do të implementohet nga Komuna e Kamenicës dhe organizata GYEK.