Kalon Ligji për Dialogun, PSD-ja e kushtëzon votimin e Platformës

Kuvendi i Kosovës ka arritur ta kalojë ligjin për detyrat dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Nga 63 deputetë që kanë votuar, 58 ishin për, asnjë kundër dhe 3 abstenime.

Ndërsa, nuk ka arritur të kalojë shqyrtimi i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Dardan Molliqaj nga PSD-ja tha se tre deputetë të PSD-së nuk e votojnë platformën nëse koalicioni qeverisës nuk arrin t’i bëjë 61 vota.

“Nëse platforma nuk i ka 61 vota për, PSD-ja nuk e voton. Partnerët tjerë që janë pjesë e delegacionit duhet me u siguru që i kemi gjitha votat për platformën. I ftoj partnerët e koalicionit të mblidhen me deputetë dhe të diskutojnë. Nëse nuk i kemi 61 vota për, ne nuk votojmë. S’ka kuptim platforma pa 61 vota për”, tha Molliqaj.

Deri tani në votim kanë marrë pjesë 59 deputetë, kanë votuar 56 për, 1 kundër dhe 2 abstenime ndërsa PSD-ja nuk ka votuar.

Pas këtij votimi Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka kërkuar pauzë 15 minutëshe për radhitjen e rendit të ditës. Ai tha se qëndrimi i PSD-së është qëndrim politik.

“Në momentin që platforma i merr 61 vota kjo merr fund”, tha Veseli.