Zv.kryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, Foto: KALLXO.com

Zv/kryeministrja Rexhepi: Popullata shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se në Kosovë jetojnë edhe kombësi tjera

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi ka thënë se e drejta për edukim në gjuhën e secilit komunitet është temë që diskutohet shumë rrallë në Kosovë.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime”, theksoi se duhet të punohet në ndërgjegjësimin e popullatës shqiptare dhe në edukim gjatë shkollimit se në Kosovë jetojnë edhe shumë kombësi tjera.

“Kjo është temë për të cilën rrallëherë diskutohet në Kosovë, dhe është temë e dhimbshme, temë shumë e rëndë. Përveç mekanizmave institucional mbrojtës që garantohen me kushtetutën e Republikës së Kosovës, ne duhet të punojmë akoma më shumë në ndërgjegjësimin e popullatës shqiptare, në arsimimin e fëmijëve të tyre, në edukimin gjatë shkollimit – se në Kosovë jetojnë të gjitha ato kombe tjera”, ka thënë Rexhepi.

Ajo shtoi se shoqëria duhet të ndërgjegjësohet se jemi të gjithë të njëjtë dhe se Kosova është shteti ynë.

“Duhet të ndërgjegjësohen se shoqëria e Kosovës është multi-etnike dhe jo vetëm në letër, por se ka kombe tjera që flasin gjuhë tjera. Ne jemi të gjithë të njëjtë, pa marrë parasysh se mund të dallojmë në diçka, ndoshta në gjuhë, apo në racë apo në fe apo në kombësi, por mbi të gjitha duhet ta kuptojmë se Kosova është shteti ynë dhe se të gjithë ne jemi Kosovarë”, shtoi më tej Rexhepi.

Zëvendëskryeministrja më tej potencoi se komuniteti boshnjak në Prizren e kanë të drejtën e arsimit në gjuhën e tyre.

“Ne në Prizren i kemi dy gjuhë në përdorim, gjuha turke dhe ajo boshnjake. Për nga numri i popullsisë, menjëherë pas shqiptarëve vijnë boshnjakët, andaj sigurisht që kemi të drejtë të arsimimit. Pas nesh vijnë turqit, si komunitet i tretë, i cili komunitet ka gjithashtu gjuhën e vet në përdorim zyrtar dhe natyrisht shfrytëzon të drejtën e përdorimit të gjuhës së vet për arsimimit, kulturë dhe traditë”, ka thënë Rexhepi.