Zv/avokatja e Popullit tregon përvojat e saj me reagimet e shqiptarëve kur ajo flet serbisht

Zëvendësavokatja e Popullit, Marija Raduloviq, ka ndarë disa përvoja të saj lidhur me tolerancën që kanë shqiptarët kur dëgjojnë gjuhën serbe.

Ajo në emisionin ‘Kallxo Përnime’ ka thënë se ka përjetuar situata të pakëndshme por edhe befasuese në lokale të ndryshme.

“Sa i përket tolerancës së mjaftueshme, kjo është diçka për të cilën gjithsesi nuk mund të përgjigjem me vetëm një fjali. Ka një kohë që unë jetoj në Prishtinë dhe jetoj në vendin ku jam e rrethuar me 99% shqiptarë. Unë flas shqip”, ka thënë ajo.

Raduloviq thotë se del çdo ditë dhe kjo bënë që të ketë përvoja të shumta në raport me gjuhën.

“Personalisht, kam përjetuar disa herë situata të pakëndshme kur të tjerët më kanë dëgjuar duke folur serbisht, meqë jetoj në një pjesë të Prishtinës ku çdo ditë dal dhe pi kafe, kam fqinj, kamarierë dhe të tjerë të cilët më përshëndesin ekskluzivisht në serbisht. Kjo më fasionon”, ka thënë ajo.

“Merreni me mend një lokal i cili gjatë verës është përplot me njerëz, ndërkaq kamarieri, pa pikë droje më përshëndet në gjuhën serbe. Kjo ndodh”, shtoi më tej Raduloviq.

Sipas saj, ka përjetuar edhe raste kur pasi e kanë dëgjuar duke folur serbisht, ia kanë kthyer kusurin më ashpër.

“Megjithatë, një gjë që fatkeqësisht mund të konstatoj se më ka ndodhur, ndonëse flas shqip relativisht mirë. Kur tjerët më dëgjojnë duke folur serbisht në telefon, ma kthejnë kusurin paksa më ashpër”, ka thënë ajo.

Raduloviq tutje potencoi se beson që kur njerëzit duan të kuptohen, mund ta bëjnë në çdo aspekt.

“Unë psikologe nuk jam, nuk mund të flas nga këndvështrimi psikologjik, por çdo njeri mund ta ndjejë nga përvoja e vet raportin e tjetrit ndaj teje. Të flasim pak nga aspekti njerëzor. Unë thellësisht besoj se kur njerëzit duan të kuptohen me njëri-tjetrin, këtë mund ta bëjnë në çdo aspekt”, deklaroi ajo.

Sonte në Emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet debati për edukimin në gjuhën amtare.