Zemaj: Qeveria Kurti 2 nisi me gjueti shtrigash ndaj bordeve e udhëheqësve të klinikave

Deputeti i LDK-së dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se dërgimi i mjekëve në komision displinor për deklarime të parregullsive ka karakter politik.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se kjo i bie sikur në komunizëm që ata që flasin janë të papërshtatshëm për sistemin.

“Krejt kjo ka karakter politik dhe logjikën e qeverisjes që është instaluar në Kosovë, kjo që po ndodh i bie sikur ata të jenë ‘ të papërshtatshëm për sistemin’ ashtu si ka ndodhur në kohën komuniste”, deklaroi Zemaj.

Zemaj tha se në Qeverinë Kurti 2 nisi një gjueti shtrigash ndaj personave përgjegjës në borde dhe udhëheqës të klinikave.

“Në fillim të ardhjes së Qeverisë Kurti 2 është dukur një gjueti shtrigash ndaj njerëzve që kanë punuar e janë angazhuar sidomos në menaxhim me pandeminë por edhe ata përgjegjës në borde ose udhëheqës të klinikave”, shtoi tutje ai.

Sipas tij, i vetmi që ka shpëtuar është Valbon Krasniqi.

‘Valbon Krasniqi është i vetmi që ka shpëtu nga kjo gjueti. Gjatë kësaj qeverisjeje është shkarku bordi për shkollim specialistik, kanë ardhur njerëz me grada shumë më të ulëta, përfshirë antarë të bordit janë shkarkuar. Tani kjo po ndodh edhe me drejtorë të klinikave, po ndodh një fenomen i përçarjes mes mjekëve dhe gjueti e brendshme për mbrojtjte të individëve në ministri e borde”, ka thënë Zemaj.