Xhafer Gashi flet për premtimet që i realizoi dhe ato që nuk i përmbushi për Obiliqin
Gjatë fushatës zgjedhore, Xhafer Gashi, atëherë nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin, tash nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte bërë disa premtime për të mirën e qytetarëve të Obiliqit.
Përballë Jeta Xharrës dhe Kuvendit Komunal kryetari Gashi flet për premtimet e dhëna, ato që i ka realizuar dhe ato që nuk arriti t’i përmbush.
Gjatë debatit “Jeta në Komunë” para zgjedhjeve, Gashi kishte premtuar se do të ndërtohet kati i dytë dhe një pjesë e katit të tretë të QKMF-së.
Verifikimi në terren nga gazetari i KALLXO.com u bë më 10.09.2024, dhe aty vërehet se punimet në renovimin e QKMF-së kanë nisur.
Ndërsa Komuna është përgjigjur se objekti pritet të përfundojë brenda vitit 2025.
Një premtim tjetër i dhënë nga Xhafer Gashi ishte pajisja e shtëpisë së shëndetit në Milloshevë.
Verifikimi në terren tregon se laboratori është funksional dhe ka realizuar 11 analiza atë ditë.
Ndërsa, një premtim i pambajtur nga Gashi është ndërtimi dhe funksionalizimi i çerdhes në Milloshevë.
Premtimi ishte se çerdhja do të fillojë të ndërtohet më 2022 dhe do të përfundojë më 2023.
Po ashtu, kryetari i Obiliqit kishte premtuar ndërtimin e çerdhes në Mazgit, projekt që do të përfundonte, sipas premtimit, më 2021.
Nga verifikimi në terren, datë 10.09.2024, del se çerdhet janë ne ndërtim e sipër.
Komuna është përgjigjur se objekti në Mazgit është në përfundim e sipër, ndërsa pritet të funksionalizohet brenda vitit 2024.
Ndërsa për Milloshevë thuhet se objekti është në përfundim e sipër, pritet të funksionalizohet brenda vitit 2024.
Premtim i pambajtur është edhe për trotuarin për Brezhnicë, Kozaricë, i cili ishte premtuar se në vitin 2022 dhe 2023 do jetë i përmbyllur.
Nga verifikimi në Brezhnicë më 11.09.2024 shihet se ende nuk është ndërtuar trotuari i premtuar.
Ndërsa Komuna ka thënë se projektin për ndërtimin e 6 kilometrave trotuare e kanë hartuar.
Premtim i mbajtur nga Xhafer Gashi u cilësua projekti i ndërtimit të sheshit “Adem Preniqi”.
“Do ndërtojmë një pishinë gjysmë-olimpike që do të jetë në shfrytëzim të nxënësve, sepse nga përvojat e Perëndimit flet se noti është pjesë e jetës që duhet ta kenë nxënësit dhe sportdashësit e saj, dhe mendoj që do të kryhet më 2023” – kishte premtuar Gashi në fushatën zgjedhore në zgjedhjet e fundit por nga verifikimi në terren, më 11.09.2024, vërehet se kjo pishinë ka qenë e paraparë të ndërtohet në oborrin e shkollës “Ibrahim Rugova” në Obiliq, por nuk ka filluar ende.
Komuna e Obiliqit ka një premtim të ri.
Ata tash thonë se pishina është planifikuar të ndërtohet në vitin 2025/2026.
Kryetari Gashi kishte premtuar se do ta ndërtojë një Qendër Rinore në Obiliq.
Pas verifikimit në terren, i bërë më 10.09.2024, shihet se ndërtimi i Qendrës Rinore ende nuk ka nisur.
Komuna e Obiliqit e pranon se ndërtimi nuk ka filluar dhe thekson se është planifikuar ndërtimi me bashkëfinancim.
Krypometeri ka analizuar edhe premtimet e tjera të Gashit, për sallat e edukatës fizike në shkolla, po ashtu për psikologët në shkolla dhe premtimin e tij për 50 % gra drejtoresha.
Për të gjitha këto kryetari Xhafer Gashi ka dhënë sqarime pse nuk kanë mundur të realizohen.