Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vlera Dani: Fëmijët përjetuan ankth dhe panik nga lajmet gjatë kohës së izolimit

Vlera Dani, aktiviste për të drejtat e fëmijëve, ka thënë se gjatë kohës së izolimit fëmijët u përballën me panik e ankth për shkak të lajmeve.

Në emisionin “Kallxo Përnime” ajo potencoi se gjatë asaj kohë nuk ka pasur mjaftueshëm emisione për fëmijë.

“Përmes disa fushatatve online, kemi marrë pjesëmarrës fëmijë dhe kemi diskutuar për tema të ndryshme. Aty kemi nxjerrë shumë fatkeqësi që fëmijët kanë përjetuar në përiudhën e izolimit. Shumica prej tyre janë ndjerë të stresuar, në panik e ankth si shkak i lajmeve, ata flisnin vetëm për rastet me COVID-19. Nuk ka pasur mjaftueshëm emisione për fëmijë”, ka thënë Dani.

Tutje, ajo shtoi se gjatë periudhës së izolimit, fëmijët nuk kanë mundur të konsultohen me psikolog, kurse tani me hapjen e shkollave, ka mungesë të tyre.

Dani theksoi se në kohën e izolimit, fëmijët kanë qenë kryesisht në telefonë.

“Nuk kanë mundur të flasin me psikolog, tash që nuk është izolimi nuk ka çdo shkollë psikolog. Gjatë izolimit ata janë ballafaquar më së shumti me telefonin, pandemia është sjellë rreth rrjeteve sociale.  Po ashtu, ka pasur mbingarkesë me detyra gjatë pandemisë”, shtoi Dani.

Të ftuar për diskutim të kësaj teme janë: Arian Musliu, psikolog i specializuar i fëmijëve, Rifadije Sopi-Krasniqi, sekretare e kryesisë së Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Vlera Dani, aktiviste për të drejtat e fëmijëve nga koalicioni ROR, Valbona Dermaku, pediatre dhe në Zoom bashkëngjitet Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve në Kosovë.