Flamujt që tregojnë vendin e origjinës të produkteve - Foto: KALLXO.com

VIDEO: 'Zhdukja' e flamujve të origjinës së produkteve nga dyqanet e Kosovës

Qeveria Haradinaj në vitin 2019 kishte hartuar një udhëzim administrativ me të cilin kërkohej që në raftet e dyqaneve në Kosovë të vendoseshin flamujt, të cilët tregojnë se nga cili shtet është importuar një mall.

Në ditët e para pas udhëzimit u shqiptuan gjoba për ata që nuk i respektonin masat ndërsa implementimi arriti pothuajse në nivelin e përsosmërisë për shkak të frikës që bizneset e kishin nga gjobat që shqiptoheshin në atë kohë.

Dy vite më vonë udhëzimi i Qeverisë nuk respektohet dhe si shumë prej ligjeve në vend ai është lënë anash.

Në një ditë të zakonshme për më pak se 2 orë KALLXO.com ka vizituar 9 lokale ku qartazi shihej që flamujt nuk janë të vendosur ashtu siç e kërkon ligji. 

Në marketin e parë flamujt nuk janë vendosur fare ndërsa shitësi thotë se s’mund të na japë deklaratë pa aprovimin e pronarit të marketit. 

As në marketin e dytë, flamujt s’janë të vendosur, kurse shitësi deklaron se për shkak të fillimit të vitit dhe fillimit të regjistrimit të mallit. 

Rrugëtimin tonë e vazhdojmë në një lagje tjetër të Prishtinës edhe aty ka probleme me flamuj, ndërsa shitësja arsyetohet se janë free shop. Tutje shitësja në këtë dyqan thotë se flamujt e origjinës nuk i kanë pasur asnjëherë të vendosur dhe shton se asnjëherë nuk do t’i vendosin.

Për t’u hedhur pluhur syve të klientëve disa nga marketet vazhdojnë t’i mbajnë pjesërisht flamujt. 

Në njërin nga dyqanet që ka vizituar KALLXO.com shitësi thotë se ende nuk ka vendosur asnjë flamur për shkak se rishtas e ka hapur lokalin.

Në interesimin tonë për të marrë shpjegime nga pronarët e bizneseve asnjëri nga ta nuk pranon të flasë ka të atillë që prapa kamerave thonë se vetëm interesimi i mediave mund ta shtyjë inspektoriatin që të ndërrmarrë masa.

Në një vizitë të thjeshtë në  markete të Piishtinës Kallxo.com zbulon se rregullorja e Qeverisë që në dyqane të vendosen flamujt e origjinës nuk zbatohet në plotëni. Pronarët prapa kamerave tregojnë se Ministria e Tregëtisë nuk është dukur asnjëherë për t’i inspektuar ata. Për të dëshmuar edhe më tutje se rregulli qeveritar nuk zbatohet vizitat i vazhdojmë edhe në markete të tjera ku sërisht hasen parregullsi në vendosjen e flamujve të origjinës.

Në njërën lagje të Prishtinës KALLXO.com gjen një shitës të përgjegjshëm, ku shitësi thotë se i vendos famujt vetëm për të informuar blerësit për origjinën e produktit.

Sipas ligjit çdo biznes që nuk e zbaton këtë rregullativë dënimet shkojnë prej 1,000 deri 20 mijë euro. Por të dhënat tregojnë që për dy vite Qeveria e Kosovës ka arritur të shqiptojë vetëm 56 gjoba apo çdo të 15-tën ditë është shqiptuar nga një gjobë. Të dhënat na tregojnë që për këtë punë janë të angazhuar 2 inspektorë mirëpo fakti që janë shqiptuar vetëm 2 gjoba në muaj tregon që serioziteti në trajtimin e këtij problemi ka munguar.

Udhëzimi administrativ për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit pati hyrë në fuqi pak kohë pas vendosjes së taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.