Shkolla Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec || Foto: Kallxo.com

Vetëm 1/3 e shkollave profesionale kanë shprehur interesim për mësim dual

Shkolla profesionale e hotelerisë dhe turizmit “7 shtatori” në Prishtinë ka filluar me mësimin dual nga viti 2022-2023.

Drejtoresha e saj, Hatixhe Ratkoceri, ka thënë se kjo ka qenë falë bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Odën Ekonomike të Kosovës dhe bizneset.

“E dimë që kjo shkollë një kohë ka pasë rënie të interesimit të nxënësve për t’u regjistruar aty, por në këtë vit shkollor jemi rritur dukshëm, i kemi mbi 100 nxënës në arsimin dual e vitin e kaluar 50” – tha Ratkoceri.

Ajo ka thënë gjithashtu se pjesën e subvencionimit të nxënësit biznesi ka shprehur interesim ta bëjë vet.

“Biznesi nuk është i obliguar por e ka marrë vetë përsipër sepse e dimë që shteti nuk ka mundësi ta bëjë këtë, por në të ardhmen parashihet se do të realizohet nga vetë shteti. Bizneset paguajnë për shujtën e nxënësit, për udhëtimin, veshjen e sigurimin aksidental e kemi të mbështetur nga Ministria e Arsimit të ndarë në DKA” – shtoj ajo.

Për mosinteresimin e shkollave të tjera për pjesëmarrje në mësim dual ajo tha se shkollat hezitojnë ta bëjnë këtë hap për shkak edhe të lokacioneve ku gjenden, d.m.th. qyteteve të ndryshme. Duhet të kemi parasysh që puna e nxënësit duhet të jetë sa më afër shkollës” – tha Ratkoceri.

Rinesa, 17-vjeçarja që po praktikon mësimin dual

Rinesa Pacolli, nxënëse e shkollës “7 Shtatori”, në Prishtinë, ka dy vjet që është duke e ushtruar zanatin e pastiqerisë.

“Mua ky profesion më pëlqen shumë, prej që e kam kry shkollën fillore e kam dashur këtë profesion. Jam 17-vjeçare dhe më ka mbetur edhe 1 vit për ta përfunduar shkollën” – tha Pacolli.

“Të gjithë shokët dhe shoqet e mia të klasës janë të punësuar në hotele dhe restorante të ndryshme por edhe po përfundojmë shkollën. Prej ditës së parë që kam ardhur këtu në ‘Swiss’, të gjithë janë sjellë mirë me neve dhe janë munduar që të na lënë çdo gjë ta praktikojmë vet. Kemi 8 orë punë, na paguan biznesi si praktikante” – tha tutje Pacolli.