Trepça - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

‘Trepca’ nuk i pagoi 9 milionë euro të Trustit punëtorëve të saj

Ndërmarrja Publike “Trepça” u ka hic më pak se 9 milionë euro borxh punëtorëve të saj.

Sipas një hulumti të “Kallxo Përnime” ky borxh është mbledhur që nga shtatori i vitit 2019, duke mos llogaritur dy muajt e fundit dhe rreth 900 mijë euro që u paguan në janar të këtij viti.

Nga shtatori i 2019 edhe pse ua ndalen trustin dhe kontributet punëtoreve të saj, ndërmarrja nuk u a bartë në llogaritë e trustit por paratë i ndal për nevoja të tjera.

Se ky obligim ligjor nuk kryhet e ka konfirmuar edhe kryetari i Sindikatës së Trepçës në Stanterg, Gani Osmani.

“Që nga shtator i vitit 2019, 2020 dhe viti 2021 komplet e deri në këta muajt e fundit nuk është paguar  Trusti, aty na figuron si i deklaruar por i pa paguar. Kjo është një shkelje që ju bëhet punëtoreve sepse ne kemi edhe raste kur janë dal ne pension e kanë marr ma pak trust”, thotë Osmani.

Problemin e njëjtë me mos pagesën e trustit e kanë edhe punëtoret e njësisë tjetër biznesore të Trepçës, në minierën e Kishnicës dhe Artanës.

Kryetari i Sindikatës atje Blerim Ymeri thotë se kanë kërkuar nga menaxhmenti por pagesa e borxhit ende nuk është kryer.

“Jo nuk paguhen, prej 2020, 2021 dhe 2022 trusti nuk u pagua, nëse nuk gaboj një shumë e vogël muajin e kaluar është paguar, por për këto vite nuk është paguar, neve na i ndalin çdo muaj në pagë por neve nuk na i paguajnë”, thekson Ymeri.

Se ku shkojnë paratë e trustit që u ndalen punëtoreve nuk e din as minatori i stantergut Ragip Istrefi, por ai e din se atyre nuk u paguhen kontributet.

Se ndërmarrja Trepça nuk i paguan kontributet pensionale e thonë edhe punëtoret e tjerë të ndërmarrjes.

Liridon Ahmeti, Berat Nimani e Asllan Osmani  gjithashtu e konfirmojnë se nuk u paguhet Trusti dhe kontributet pensionale.

“Kallxo Përnime” ka kërkuar një përgjigje nga Drejtoresha e Financave ne këtë ndërmarrje, Bukurije Haxha, por ajo nuk ka pranuar të flas para kamerave, por borxhin e ka lidhur me mungesën e financave që ka ndërmarrja, derisa thotë se trusti ka filluar të paguhet muajt e fundit.

Administratës Tatimore të Kosovë borxhin e ndërmarrjes Trepça nuk po e llogaritin për shmangie tatimore pasi ndërmarra i deklaron por nuk i paguan.

“Në fakt mos pagesa e trustit për punëtoret e Trepçës është borxh të cilin ndërmarrja në fjalë çdo muaj e deklaron, mirëpo në mungesë të mjeteve financiare (vështirësive që kanë me financa) nuk janë duke arritur me i pagu. Kjo nuk është shmangie tatimore, sepse është borxh që vet tatimpaguesi e deklaron”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Borxhet ndaj punëtoreve e mos pagesën e Trustit që nga viti 2019 e pranon edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani.

“Nga borxhi i përgjithshëm që e kemi prej 16 milionë euro e kemi edhe borxhin prej 9 milionë që i detyrohemi ATK-së për trustin e punëtoreve, ne kemi filluar me pagua këtë obligim për punëtoret e Trepçës dhe presim që të kryhet deri në fundin e vitit, gjithashtu kemi paguar edhe në janar 900 mijë euro për trustin e punëtoreve”, tha Abdurrahmani.

Ai gjithashtu pretendon se 3 milionë euro do paguhen nga rimbursimi i TVSH-së, e 6 milionët e mbetur do paguhen nga të hyrat tjera që sipas tij janë në trendin e rritjes.

Për borxhet dhe gjendjen jo të mirë në ndërmarrjen “Trepça” flet edhe kryesuesi i bordit, Bahri Hyseni.

Ai nuk jep një datë të saktë se kur do paguhen, por thotë se kanë marr obligim që t’i paguajnë tash secilin muaj.

“Neve jemi duke paguar borxhe që kanë mbetur nga menaxhmentet e kaluara dhe jemi duke tentuar që t’i paguajmë të gjitha borxhet, kemi filluar me pagesa për trustin dy muajt e fundit dhe po tentojmë me pagu çdo muaj edhe pastaj me këqyr edhe me rimbursimin me ATK-në sa janë borxhet e përgjithshme”, theksoi Hyseni.

Punëtoret e Trepçës kanë filluar që t’i drejtohen gjykatës për marrjen e trustit. Ata janë duke shkuar tek avokatet e Mitrovicës për t’i hartuar paditë për ta detyruar Trepçën që t’i kryej obligimit përmes rrugës ligjore.

Avokati Elvir Imeri ka filluar hartimin e padive dhe çdo ditë pret punëtor që kërkojnë që trustin e tyre ta nxjerrin përmes rrugës ligjore.

Që nga paslufta ndërmarrja “Trepça” asnjëherë nuk kishte arritur t’i jep dividentë shtetit. Deri në vitin 2019 kjo ndërmarrje kishte realizuar të hyra edhe nga shitjet e mbetjeve dhe pjesëve të tjera në objektet e saj, shitja e mbetjeve që nga paslufta kap shifrën e 20 milionë eurosh e kishte mbijetuar edhe nga ndihmat e qeverisë.

Ndërmarrja “Trepça” vazhdon te përballet me borxhe të mëdha, me mbi 16 milionë euro borxhe.

Këto borxhe kjo ndërmarrje i ka ndaj punëtoreve të saj, institucioneve qendrore, lokale e ndaj kompanive private.