Të drejtat e punëtorëve, Inspektorati i Punës gjen shkelje në një ‘call center’ në Prishtinë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet reportazhi për shkeljet e të drejtave të punëtorëve.

Qytetarët kanë raportuar në KALLXO.com për dy biznese, njëri ‘call center’ e tjetri që shet materiale ndërtimore, se shkelin të drejtat e punëtorëve.

Ekipet e KALLXO.com fillimisht i kanë verifikuar disa nga këto shkelje që janë raportuar nga këta qytetarë e më pastaj denoncimi është dërguar në Inspektoratin e Punës.

Biznesi i parë është denoncuar për mungesë të masave të sigurisë në punë, për parregullsi në kontrata të punës dhe për mospagesë të orëve shtesë të punës, e që sipas Ligjit për çdo orë pune jashtë orarit punëtori duhet të kompensohet shtesë.

Nga inspektimi i Inspektoratit të Punës del që ky biznes ka parregullsi në mbarëvajtjen e aparateve të zjarrit, ndërsa materialet e tjera do të kontrollohen në ditët në vijim, kur punëdhënësi do t’i dërgojë raportet dhe të dhënat brenda 3 ditëve në zyrat e Inspektoratit.

“Ishim te një subjekt, ku kontrolluam lidhur me marrëdhënien e punës dhe atë për siguri dhe shëndet në punë, kishte disa shkelje të vogla, nuk gjetëm ndonjë shkelje të madhe ndaj punëtorëve, përveç disa dilemave që kishim në lidhje me pushimet dhe orarin e punës, punëdhënësi pritet që këto dokumente t’i dorëzoj brenda 3 ditëve në Inspektorat nëse nuk i sjell parashihet masë ndëshkimore” – thotë Fatmir Halili nga Inspektorati i Punës.