Sukseset e korit “Simperantum” nëpër botë dhe dy medaljet e fituara në Republiken e Koresë

Memli Kelmendi është i ftuar sonte në #KallxoPërnime duke rrëfyer sukseset e korit “Simperantum”.

Kori “Simperantum” kishte arritur të fitoj dy medalje të arta në lojërat e nivelit më të lartë të garës së koreve me dy fitore në “World Choir Games” në korrikun e vitit të kaluar, që janë mbajtur në Korenë e Jugut.

Kelmendi thotë se kur kishin marrë vesh për ftesën në këtë garë në xhirollogarinë e korit kishin qenë vetëm 230 euro.

Ai tha se falë ndihmës fondacioni ‘Sunnyhill’ kishin arritur të shkojnë në Korenë e Jugut dhe të kthehen nga atje me dy fitore.

“Rreth 60 mijë euro ka qenë shuma që ka kushtuar i gjithë udhëtimi. Por në fillim, duke iu afruar më shumë dështimit sesa fitore, në minutën e fundit, gjë për të cilën dua ta falënderoj fondacionin, ‘Sunnyhill’ nga Dukagjin dhe Dua Lipa, të cilët na dhanë dritën e gjelbër për të shkuar në Republikën e Koresë. Na  kemi qenë shumë të lumtur dhe më të lumtur kur i kemi sjellë dy medalje”- tha Kelmendi.

Kelmendi gjatë intervistës në #KallxoPërnime thekson interpretimin e veprës latine “PAX” në të ciin kori “Simperantum” kishte përfshirë në performancë dhe letra të bardha.

Ai thotë se për përdorimin e letrave të bardha është inspiruar nga protestat me letra të bardha gjatë luftës në Kosovë.

“Unë kam qenë shumë i ri por më kujtohet një detaj, kur kam qenë para dyerve të oborrit në Pejë dhe e pyes nënën që pse nuk po shkruan asgjë në letrat e bardha gjatë protestës që po zhvillohej. Letra e bardhë ka qenë që po ne po kërkojmë paqe. Për herë të parë po e tregoi sepse kompozimet e mia mundohem mos me bë përshkrim sepse tentoi që njerëzit me e pa në mënyrën e tyre”- tha ai.

Për këtë vepër, ky kor kishte fituar një ndër garat më të rëndësishme në Belgjikë.

“Mbetet një ndër veprat më të vlerësuara dhe më të pëlqyera prej atyre që i prezantojmë. Më kujtohet një moment në Belgjikë kur ne i kemi bërë me lot publikun. Janë të shumta punëtori dhe vepra të tjera që interpretohen nga të tjerët” – thekson Kelmendi.