Smaj Latifi përballë premtimeve të tij – VIDEO
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi në vitin 2021 kur garonte për kryetar të Rahovecit kishte dhënë një mori premtimesh për këtë komunë të cilat do t’i realizonte disa brenda mandatit e disa në kohë edhe më të shkurt.
Njëri nga premtimet e Latifit në vitin 2021 kishte ndërtimi i kompleksit sportiv te Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për kompleksin sportiv unë e kam nënshkruar kontratën, i cili do të bëhet te Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës… është nënshkruar para pak ditëve… është kontratë dy vjeçare”- kishte thënë Smajl Latifi në vitin 2021.
Por, kompleksi sportiv ende nuk ka përfunduar punimet.
Kryetari Latifi tash në vitin 2024, thotë se gjatë ndërtimit të kompleksit sportiv janë dashur punë shtesë të cilat edhe kanë pasur kosto shtesë.
“Ju më 24.09.2024 e kishit bërë xhirimin ndërkohë që janë duke u bërë punët përfundimtare. Kanë dalur disa punë që nuk i kemi parashiku për shkak të terrenit shkëmbor është dashur të bëhet minimi po besoj që kompleksi sportiv shumë shpejt do të përfundohet. Ka dhe pagesa shtesë sepse është bërë minimi, diku rreth 4 mijë kilogram eksploziv janë përdorur” – tha ai.
Smajl Latifi në vitin 2021 kishte premtuar ndriçim në të gjitha lokalitet në Rahovec.
“Ne po besojmë se deri në fund të dhjetorit të gjitha lokalitetet përfshihen në ndriçim, të këtij viti… edhe fshatrat”- kishte thënë Latifi në vitin 2021.
Ekipi i KALLXO.com ka gjetur se ka ende lokalitete të cilat nuk kanë ndriçim publik.
Një nga premtimet e Latifit kishte qenë edhe mësimi gjithëditor.
Por në Debat Përnimë ai ka konfirmuar se aktualisht nuk ka asnjë shkollë në Rahovec që ka mësim gjithëditor.
“Është e vërtetë që nuk ka mësim gjithëditor në Rahovec. Unë nuk e kam kuptu deri në detale se cfarë do të thotë mësimi gjithëditor dhe nuk e kam kuptu çfarë kosto ka, a jam për mësimin gjithëditor, jam por a ka në Rahovec aktualisht, jo nuk ka”- tha Latifi.
Latifi në vitin 2021 kishte premtuar shpalljen e Komunës së Rahovecit si zonë bujqësore. Premtim ky që nuk është realizuar deri më tani.
Latifi ua hedh fajin institucioneve qendrore për këtë ndërsa thotë se nuk ka marrë përgjigje as nga ministri i Bujqësisë e as nga kryeministri për këtë çështje.
“I kam dy shkresa që një i shkon kryeministrit dhe një ministrit që ua kam dërguar në 2022. Nuk ka përgjigje me shkrim. Ka fjalë mirë por nuk ka veprime. Nuk kemi përgjigje nga Qeveria Kurti. Rahoveci e meriton me e pas Ligjin që e shpall zonë të veçantë për bujqësi. Ideja është që Rahoveci përmes këtij ligji fiton identitet të ri” – Smajl Latifi.
Ndaj kësaj deklarate të Latifit ka reaguar asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dëfrim Kafexhiu.
“Edhe ne si LVV pajtohemi për këtë ligj që është shumë i nevojshëm por vullneti nuk matet me dy shkresa të dërguara. Kryetari i Komunës është njëkohësisht edhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ku e ka pas mundësinë e botës me e propozu një projektligj për këtë çështje”- tha Kafexhiu.