'S'kam ditë qysh e kanë qu te varret, më kanë dhënë qetësues', rrëfimi i nënës për vdekjen e djalit të saj

Hajrie Emini në emisionin “Kallxo Përnime”, ka ndarë rrëfimin e saj për humbjen e djalit në vendin e tij të punës.

Naim Emini, 38-vjeçar vdiq në aksident në punë më 31 maj të vitit 2019.

“Atë ditë derisa ishte duke shkuar në pauzë të drekës ka rrëshqitur dhe në vend e ka lëshu shpirti, kamerat janë kanë, se rrëzohen edhe prej lartësisë edhe nuk vdesin, por ndoshta e ka pasur dekën”, thotë Hajrie Emini, nëna e Naimit.

Zonja Emini kujton ditët para se të vdiste Naimi.

“Pak para se me vdek, 3-4 ditë si kishte, ish pas shku i ka marrë letrat në fakultet, i thash ‘Pse i ke marrë?’ sepse mu dok sikur mu zhduk, më erdh mërzi se jam gzu kur u regjistru, tha ‘I mora nanë se pse me m’hup’. A ka dashur të studionte për rrymë”.

Ajo thotë se këtë punën e fundit që e kishte bërë Naimi nuk e kishte dashur.

“Këtë punë nuk e kishte zanat andaj edhe ata te puna e angazhonin për gjëra të lehta, e kanë rue si me pas evlad të vetin, por na veç për rrogën e tij jemi varë. S’kemi pasur të ardhura tjera, veç që s’ka pas ka punu”, vazhdon rrëfimin Hajria.

Ajo ka rrëfyer momentin kur e kupti që djali i kishte vdekur.

“Atë moment kam hup krejt, m’kanë qu në spital më kanë dhënë ineksion, qitu e kanë pru as s’kam ditë qysh e kanë qu te varret, as kurrgjë”, rrëfen ajo me gjysmë zëri.

Mbrëmjen e fundit që e kishin parë të gjallë, thotë se e ka ndier që diçka do të ndodhte.

“Diçka veç u sillke, e kam vërejt në mbrëmje, sikur kur të merr malli, në çdo vend shikonte në shpi, shkojke te mixha i vet, vike, unë veç e përcillsha qashtu, po unë e kam ditë që diçka ka me ndodhë”, rrëfen nëna momentet e fundit që kishte parë djalin gjallë.

Ndryshe në hulumtimin e BIRN-it faktohen shumë probleme e sfida për paaftësinë për të ulur numrin e aksidenteve në vendet e punës.

Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, 145 punëtorë kanë vdekur në vendet e tyre të punës për 9 vjet, pra nga viti 2011 deri në gjysmën e vitit 2022.

Hulumtimi tregon se në bazë të të dhënave nga Inspektorati i Punës nga viti 2016 deri në vitin 2021 janë raportuar 787 aksidente në vendin e punës, prej të cilave, 78 kanë rezultuar me pasoja fatale për punëtorët.

https://kallxo.com/uncategorized/statistika-te-luftes-ne-nente-vite-145-punetore-vdiqen-ne-vendin-e-punes/