Pranvera Zejnullahu Raci

Si ndreqet shëndetësia me u.d. maratonik?

Shëndetësia e Kosovës kohëve të fundit është karakterizuar me udhëheqje nga ushtrues detyre të drejtorëve.

Vetë Ministria e Shëndetësisë deri në fundin të vitit të kaluar ka qenë me ushtrues detyre, kur edhe emërua për të tretën herë Arben Vitia si udhëheqës i këtij institucioni.

Në anë tjetër edhe Kryeinspektori i Shëndetësisë ende është në proces të zgjedhjes, përderisa Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës sot ka mbetur edhe pa ushtrues detyre.

Pranvera Zejnullahu – Raçi, e cila është e ftuar në intervistë në “Kallxo Përnime” sot është dorëhequr nga pozita që ajo mbante.

Ajo ka folur gjatë intervistës së saj nëse sistemi shëndetësor i Kosovës do të mund të rregullohej nëse vazhdimisht udhëhiqet nga ushtrues detyre të drejtorëve.

“Edhe brenda Shërbimit ka shumë u.d.-ja të tjerë si drejtor, shefa e kryeinfermier. Jo, ish dashtë me u bë zgjedhje permanente për këndo sepse personi në fjalë do të kishte me realizu një plan konkret” – ka thënë ajo.

Tutje Zejnullahu-Raçi tregon se brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka persona që tash e 15 vite që mbajnë pozitën e ushtruesit të detyrës.

“Në QKUK ka qe dhjetë vjet, 15 vjet u.d. shefa, është fakt” –  ka thënë ajo.

Përpos kësaj, Zejnullahu-Raçi tregon se brenda klinikave të QKUK-së nuk ka as rregullore të brendshme përmes të cilave duhet të veprohet.

Ajo tregoi se këto rregullore janë duke u punuar nga një grup punues i krijuar në kuadër të Shërbimit Spitalor.

“Për 2023 planin që e kam dorëzu në dhjetor në bordin e SHSKUK ka qenë reforma organizative brenda klinikave edhe spitaleve, me fokus në QKUK. Janë kriju para dy muajve dy grupeve punuese brenda SHSKUK dhe njëri grup është duke vazhdu me punu që t’i bëjnë rregullore të brendshme secilës klinikë se nuk kanë rregullore të aprovuara, pra ende klinikat nuk kanë rregullore me të cilat ato veprojnë” – ka thënë Zejnullahu-Raçi.

Ajo tregon se në secilën prej këtyre rregulloreve më pas do të futeshin edhe organogramet për secilën prej klinikave.