Shoshi: Për 25 vite Kosovës i ka humbur vizioni për t’i ruajtur kujtimet për luftën

Salih Shoshi nga fondacioni “Trashëgimia Pakufi”, ka thënë se Kosovës për 25 vite i ka humbur vizioni për t’i ruajtur kujtimet për luftën e fundit në vend.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se kujtimet për luftën as nuk duhet e as nuk përbëhen nga kullat e varrezat.

“Ne sot çka shohim janë kullat, varrezat, disa lapidarë të betonit me emra, janë disa fotografi, edhe janë disa ndërtesa në formë të kullave që janë të pakompletume, për shembull nëse shkojmë në Mejë e shohim një ndërtesë që u tentu me u bo muze por që s’u kompletu kurrë. Ne nuk dimë me tregu për historinë e Kosovës, na mungon vizioni, nuk ka kërkund shpjegim” – tha Shoshi.

Ai shtoi se në të gjitha masakrat është dashur që të mbledhen informacione dhe të kurohen pastaj me shumë kujdes.

“Me pas një lloj empatie me viktimat, me ditë backgroundin (sfondin) e tyre, me ditë jetën e tyre aktit tragjik me i ditë andrrat e fëmijëve që janë vra në këto masakra, me i ditë aktet e përfundimit tragjik, pra është një proces që duhet me u rrëfy edhe vizitori me kriju at lidhjen emocionale me ngjarjen por edhe lidhjen intelektuale”, – tha Shoshi tutje.

Ndërsa Kreshnik Gashi nga KALLXO.com, ka thënë se janë zhdukur të gjitha shenjat e luftës.

“Këta njerëz që kanë udhëheq me Qeverinë, me Kuvendin e ministritë janë përgjegjës për këtë zhdukje të trashëgimisë së luftës në Kosovë. Kemi zhdukë shpi që janë kry masakrat. Të gjitha shenjat e luftës janë zhduk, ka pas tendencë mu zhdukë provat e luftës në Kosovë. Në secilin fshat ka pasë masakra, ka pasë shenja të luftës, por janë zhdukë, s’ka ma. Kemi zhdukë trashëgimi që s’kemi me mujtë me i kthy. Ka pas tendencë totale shoqërore me u renovu gjithçka që kemi pasë” – tha Gashi.

Salih Shoshi nga Fondacioni, ‘Trashëgimia Pakufi’, përsëri e ngriti çështjen e mos tregimit të ngjarjes, duke ju referuar bustit të heroit, Zahir Pajazitit.

“Cili është relacioni që ti e bën me bustin e Zahir Pajazitit, përpos që e sheh një person me kallashnikov, cila është storja, kush ka qenë Zahir Pajaziti, qysh me msu at storje për të, kështu që ti e ki një interaksion një person me kallash, në qendër të Prishtinës, aty përfundon storja” – tha Shoshi.