Shkatërrimi i Drinit të Bardhë nga eksploatimi i zhavorrit në Gllaviqicë e Kramovik

Pamje të shëmtuara të Drinit të Bardhë nga eksploatimet e zhavorrit kanë mbetur në masën më të madhe në fshatin Gllaviqicë të Pejës e po ashtu në fshatin Kramovik të Rahovecit.

Në fshatin Gllaviqicë të Pejës eksploatimet ilegale kanë filluar nga paslufta dhe janë duke vazhduar ende.

Shtrati i lumit është shkatërruar dhe aty kanë mbetur të hapura gropat e mëdha që përveç pamjeve të shëmtuara që i japin lumit janë rrezik për banorët e zonës.

Banorët e fshatit Gllaviqicë kanë thënë për emisionin “Kallxo Përnime” se puset e tyre kanë mbetur pa ujë për shkak të hapjes së gropave të thella gjatë eksploatimeve ilegale.

“Këto kanë filluar që nga 2008 a ma herët. Tash edhe bereqeti i tokës po vërehet se nuk ka toka lagështi, jemi detyru me i thellu puset se ka ikur uji ne thellësi”- tha Nikollë Marku, banor i Gllaviqicës.

“Para se me kanë këto gropa që i kanë hapur duke marrë zhavorr këtu puset i kemi hapur kudo dhe ka pasur ujë, kanë shku vetëm nga 4 metra ndërsa tash duhet me shku me 15 metra dhe a gjen ujë apo jo”- theksoi Pashk Gashi, banor i Gllaviqicës.

Naim Sejdiu, ushtrues detyre i kryeinspektorit të KPMM-së, theksoi se në dy vitet e fundit janë 75 kallëzime penale.

“Këto dy vite janë bërë 75 kallëzime penale  dhe janë sekuestruar 40 makineri të rënda lidhur me eksploatimet e zhavorrit. Përveç degradimit të ambientit kemi edhe përfitime të mëdha nga operatorët ilegalë dhe humbje të buxhetit të shtetit” – theksoi Sejdiu.

Eksploatime ilegale të rërës e zhavorrit në brigjet e Drinit të Bardhë ka edhe në fshatin Kramovik të Rahovecit.

Aty janë shkatërruar tokat bujqësore.

Gropat e mëdha që kanë mbetur të hapura rrezikojnë edhe me shumë përmbytjen e asaj zone.

Prokuroria e Pejës në një përgjigje për emisionin ka thënë se ndër vite kanë pranuar kallëzime penale e po ashtu kanë ngritur aktakuza.

“Në vitin 2018 kemi pranuar 19 kallëzime penale ndaj 22 personave, prej tyre janë ngritur 20 aktakuza dhe janë hedhur 2 kallëzime penale. Në vitin 2019 kemi pranuar 5 kallëzime penale ndaj 5 personave. Janë ngritur 7 aktakuza  dhe 1 kallëzim penal është hedhur. Viti 2020 kemi pranuar 10 kallëzime penale ndaj 13 personave. Janë ngritur 15 aktakuza, kanë pushuar hetimet kundër 1 personi dhe është hedhur 1 kallëzim penal. Në vitin 2021 kemi pranuar 15 kallëzime penale ndaj 17 personave. Janë ngritur 11 aktakuza dhe 1 person është deleguar në kompetenca dhe 1 kallëzim penal është hedhur. Ndërsa në vitin 2022 kemi pranuar 56 kallëzime penale ndaj 57 personave. Janë ngritur 29 aktakuza, kanë pushuar hetimet kundër 3 personave dhe 4 kallëzime penale janë hedhur” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Pejës.

Prokuroria e Prizrenit dhe ajo e Gjakovës nuk kanë kthyer përgjigje se ku janë kallëzimet penale për personat që e kanë shkatërruar ambientin rreth hapësirave të Drinit të Bardhë.

Bashkim Kastrati nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka theksuar se çdo ndërhyrje në hapësirat përreth lumit rrezikon përmbytjen e asaj zone sepse shkatërrimet janë të pakontrolluara dhe dëmtojnë brigjet e lumenjve.