Imri Ahmeti, kryetar i komunës së Lipjanit. Foto: Kallxo.com

'Shiriti' i Imri Ahmetit të Lipjanit - VIDEO

Fotografi të shoqëruara me shkrime të gjata me qëllim promovimi të projekteve të ndryshme po publikohen në rrjete sociale nga kryetarët e komunave të Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com në Lipjan zgjodhi disa nga postimet të cilat ishin publikuar nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti – e që thirreshin si projekte të përfunduara, për sa kohë që në terren u vërtetua fakti se ndonëse u përuruan, projektet nuk janë si në fotografitë e publikuara.

“Shiriti” i Imri Ahmetit u transmetua në debatin e radhës të “Jeta në Komunë”, ndonëse kryetari i Lipjanit nuk pranoi të marrë pjesë në debat bashkë me Kuvendin Komunal. 

Në nëntor të 2022-ës Imri ahmeti publikoi fotografi në të cilat promovonte investimet e komunës në fshatin Gadime e Ulët. 207 njerëz pëlqyen mesazhin i cili shoqërohej me pesë fotografi të bukura nga fusha e ndërtuar.

Dy vite më vonë  investimi i komunës është dëmutar dhe fusha ka pamje tjetër. 

Bari artificial i cili ishte vendosur është dëmtuar ndërsa edhe ulëset për shikues janë thyer dhe shumica prej tyre janë të pashfrytëzueshme. Në këtë fushë gjithashtu infrastruktura e nevojshme për të zhvilluar lojëra, mungon.

Në një publikim tjetër të 19.12.2023 kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti ishte krenuar me investimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gadime të Ulët.

 Postimi me mbi 460 like thoshte se infrastrukura e objektit shëndetësor ishte me standarte të larta.

Por një vit më vonë pamjet nga brenda ambulancës nuk janë të mira. Muret janë dëmtuar në disa vende ndërsa stafi i qendërs i ka konfirmuar për KALLXO.com që në ambulancë nuk ka as mjek, por vetëm infermier.

Në gusht të vitit 2024, drejtorët komunalë kishin vizutuar punimet në pastrimin e lumit në Janjevë të Lipjanit.

Dy muaj pas gjendja në terren nuk është si në fotografi. Në terren kur është vizituar nga KALLXO.com, kishte pasur ende mbeturina.

Komuna e Lipjanit sfidohet seriozisht nga deponitë ilegale të mbeturinave.

Në fshatin Topliqan KALLXO.com ka filmuar një grumbull të madh të mbeturinave. Ngjashëm me pamjet në fshatin Topliqan bërrlloku ka mbuluar edhe fshatin Qylagë. Aty janë filmuar deponi me materiale inerte e gomat të vjetëruara.

Edhe brenda qytetit të Lipjanit mbeturinat janë problem. KALLXO.com ka filmuar grumbuj të mbeturinave edhe afër çerdhës së lipjanit.

Sipas përgjigjeve zyrtarw të Komunës së Lipjanit, Drejtoria e Inspekoriatit nga viti në tri vitet e fundit ka shqiptuar gjithsej 40 gjoba për ndotje të mjedisit – (11 gjoba në vitin 2022; 19 gjoba në vitin 2023 dhe 10 gjoba në vitin 2024).