Shaip Kamberi: 610 vota më bëjnë deputet, me kusht që Partia Socialiste të mos marr asnjë votë

Kandidati për deputet në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi në një intervistë dhënë për Kallxo Pernime ka folur për përsëritjen e zgjedhjeve në Tërnoc, ku për të katërtën herë po ndodh që të përsërite zgjedhjet.

Sipas tij, kjo po ndodh pasi janë në betejë me partinë e Ivica Daçiq për të marr ulëse në Kuvendin e Serbisë.

“Që nga fillimi i sistemit shumë partiak nuk ka ndodhur asnjëherë që në ndonjë vendvotim të përsëriten zgjedhjet katër herë, kjo po ndodh pasi jemi në një betejë të drejtpërdrejte për një mandat me partinë socialiste të Ivica Daçiq”, ka thënë Kamberi.

Kamberi tregon se pse sipas tij ka pasë përsëritje të votimeve.

“Herën e parë më 3 prill ishin bërë disa gabime ligjore, që e bëri të pashmangshëm përsëritjen e zgjedhjeve, me përsëritje ne arritëm të fitojmë votat për fitim të mandatit por ankesat e Partisë Socialiste sollën te përsëritja e tretë, edhe këtë herë patëm njerëz që kanë votuar shumë herë, e vota të pavlefshme, për 13 vota nuk arritëm”, tha ai.

“Meqë shumica e pjesëtarëve të komisionit vinte nga partia socialiste, duke mos e njohur situatën po bëjnë gabime që gjykata për të njëjtën arsye u detyrua t’i përsëris edhe kësaj here”, tha Kamberi.

Ai shtoi se janë në garë me dy partitë kryesore në Serbi. Sipas tij, është shumë problem të mbledhësh njerëzit katër herë për të dal në votim.

“Tani jemi në garë më dy partitë kryesore, e kemi një problem pasi është hera e katër që po na duhet të mobilizojmë njerëzit, kemi shumë njerëz në diasporë, disa janë në Kosovë. Për tre muaj t’i ftosh katër herë njerëzit për të votuar është problem. Madje është hera e tretë që zgjedhjet po mbahen në ditë pune. 610 vota na mundësojnë të sigurojmë një mandat, me kusht që Partia Socialiste të mos marr asnjë votë”, shtoi ai.

Lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kamberi tha se duhet të përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen përfundimtare.

“Ne mendojmë se nuk mund të ketë paqe të plotë mes Kosovës dhe Serbisë nëse nuk përfshihet edhe çështja e Luginës së Preshevës, apo nuk do jetë pjesë marrëveshjes përfundimtare”, theksoi Kamberi.

Kurse për ‘Ballkanin e Hapur’, Kamberi tha se do ketë sukses vetëm nëse të gjitha shtetet bëhen pjesë e tij, duke mos përdorur standarde të dyfishta.

“Presim që miqësia mes Shqipërisë e Serbisë të jap të mira edhe për Luginën e Preshevës, Ballkani i Hapur do ketë sukses vetëm kur të gjitha shtetet bëhen pjesë e tiij. Standardet e dyfishta nuk duhet të tolerohen”, ka thënë Kamberi.

Kandidati për deputet në Parlamentin e Serbisë tutje potencoi se Serbia kërkon maksimumin e të drejtave për pakicën e vet në Kosovë duke i mohuar ato të shqiptarëve në Serbi.

Zgjedhjet në Tërnoc do të mbahen për herë të katërt, gjykata vendos në favor të Kamberit