Sa u ofrohet komuniteteve mësimi plotësues në gjuhët e tyre?

Komuniteti rom në Kosovë përballet me mungesë të mësimit të plotë në gjuhën e tyre. Në mungesë të mësuesve, nuk po arrijnë të marrin as mësim plotësues.

Deputeti nga radhët e këtij komuniteti, Erxhan Galushi në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se Komuna e Graçanicës e ka gjuhë zyrtare gjuhën rome, por se nuk implementohet si duhet.

“Komuna e Graçanicës gjuhë të dytë zyrtare e ka gjuhën rome por nuk implementohet si duhet dhe mësimi plotësues në gjuhën rome nuk e di sa kanë vullnet për implementim pasi shumë pak fëmijë prej komunës së e vijojnë këtë mësim. Sipas të dhënave, 700 banorë të komunitetit romë janë në Graçanicë”, ka thënë Galushi.

Sipas tij, mësim plotësues në gjuhën rome është ofruar edhe në Prizren, Ferizaj, Obiliq dhe Fushë Kosovë, por në shumicën e këtyre vendeve ka mungesë të mësuesve.

“Mësimi plotësues në gjuhën rome është ofruar në katër komuna Prizren, Ferizaj, Obiliq dhe Fushë Kosovë. Për momentin kjo është vetëm në Prizren, në tjerat vende ka mungesë të mësuesve”, shtoi Galushi.

Sipas tij për mësim normal (jo-plotësues) në gjuhën rome, nuk ka ende kushte.

Deputeti nga radhët e komunitetit turk, Enis Kervan tha se nuk kanë probleme me mësues të gjuhës turke.

Sipas tij, ka pak mungesa në Gjilan dhe Mitrovicë.

“Nuk kemi probleme më mësues në gjuhën turke, kemi pak problem në Gjilan dhe Mitrovicë, pasi ka mungesa në disa kualifike të lëndëve. Nivel i lartë është në Prishtinë”, shtoi ai.

Kurse zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi tha se romët vijojnë mësim paralel vetëm në komunën e Graqanicës pasi në Prizren dhe vende qytete tjera, nuk ndodh një gjë e tillë.

Sonte në Emisionin “Kallxo Pernime” po transmetohet debati për edukimin në gjuhën amtare.