Foto: Fatrion Ibrahimi - Kallxo.com

Sa është e gatshme Kosova të konfiskojë pasurinë e pajustifikuar?

Lyra Çela, nga Ministria e Drejtësisë, ka folur për Aktin Global Magnitski përmes të cilit identifikohen shkelësit e të drejtave të njeriut që cenojnë sigurinë edhe më gjerë se në një vend.

“Përmes një akti të tillë identifikohen shkelësit e të drejtave të njeriut të përmasave shumë të mëdha”, ka thënë Çela në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ajo ka shtuar se ky akt ka qenë baza ligjore që është përdorur nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së për të listuar 13 serbët e Kosovës si “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

E njëjta ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke punuar në drejtim të përpilimit të një ligji të ngjashëm.

“Është e rëndësishme që të përmendet që Ministria e Drejtësisë në qershor të këtij viti ka miratuar koncept-dokumentin për miratimin e një ligji të njëjtë”, ka thënë Çela duke shtuar se në pjesën e parë të vitit të ardhshëm drafti i parë i këtij ligji planifikohet të jetë i gatshëm.

“Planifikohet që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm të kemi të gatshëm draftin e parë që të dërgohet në Kuvend për miratim”, tha ajo.

Lyra Çela po ashtu shpjegoi se nuk është e nevojshme që një person të ketë vendim gjyqësor të formës së prerë që një person të cilësohet si “Shtetas i etiketuar në mënyrë të posaçme”.

“Është një bazë reale që tregon që një person ka kryer shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut që më janë të lidhura edhe me korrupsion […]. Mjafton një raport i ndryshëm ndërkombëtar që të hysh në një listë të tillë”, tha Çela.

Një mendim të njëjtë ka dhe juristi Labinot Leposhtica.

“Kjo është një listë indikative që nuk ka prova ose vendim gjyqësor të formës së prerë por ka gjasë dhe ekziston një dyshim i arsyeshëm që këta persona janë të përfshirë në aktivitete joligjore kriminal”, ka thënë ai duke shtuar se bashkëpunëtorët e 13 serbëve të listuar nga Departamenti i Thesarit të ShBA-së do të duhej të ndiheshin të frikësuar dhe të prisnin hetime ndaj tyre.

Leposhtica po ashtu tha se nuk pret që kjo listë të ndalet me 13 persona. “Patjetër që pres që ajo listë ka me u zgjeru me emra të tjerë”, tha ai.

Mendimit të Leposhticës iu bashkua dhe avokati Fetahu. “Unë nuk besoj që do të përfundojë kjo listë me aq”, tha ai.