Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Rrmoku flet për mundësinë që komunat të keqinformojnë për raportin e performancës
Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale ka thënë se në rastet kur komunat nuk raportojnë drejt të dhënat për performancë mundohen t’i krahasojnë me gjendjen reale.
Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se devijimi i këtyre të dhënave është në dëm të komunës dhe qytetarëve.
“Kur një komunë tenton të keqraportojë me ose pa qëllim të dhënat e performancës, ne jemi munduar që këto raporte të jenë sa më të sakta në pasqyrimin e gjendjes reale. Devijimi i gjendjes reale është në dëm të komunës por edhe qytetarëve që shërbehen me të dhëna jo reale”, tha Rrmoku.
Ai tutje shtoi se raportimi duhet të jetë korrekt, por kërkoi edhe ndryshim të indikatorëve pasi sipas tij, Kosova është vende ku po bëhen ndryshime shumë shpejt.
“Raportimi duhet të jetë korrekt edhe pse në periudha të caktuara duhet të ndryshohen indikatorët pasi ne jemi vend i ri dhe kemi pasur përparim sidomos në infrastrukturë dhe investimet kapitale të kalojë në projekte më ndryshe, jo vetëm shtrim rrugësh”, shtoi tutje ai.
Sipas Rrmokut, keqinformimi duhet të elimininohet në proces nga Ministria e Pushtetit Lokal, këtë vit sipas tij, është bërë një hap drejt konfigurimit të vërtetësisë së dhënave që i kanë dërguar komunat.