Rrëfimi i Shkodrane Dakajt, gazetares së KALLXO.com, e cila raportoi gjatë gjithë ditës nga Zveçani

Gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj, ka rrëfyer se çka ka ndodhur sot në komunën e Zveçanit.

Dakaj tregoi se gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes janë përballur me probleme të rrjetit telefonik përderisa ka shtuar se në Zveçan ka qenë nga ora 6:30 deri në 17:30 me kolegun kameraman, Naser Fejza.

“Kemi qenë bashkë me kolegët e tjerë gazetarë nga Kosova por edhe serbë dhe e kemi monitoru nga afër situatën atje se çka ka ndodhë dhe kemi tentu me raportu prej Zveçanit mirëpo gjatë gjithë ditës kemi pasë probleme me rrjet. Kemi qenë që nga ora 6:30 e mëngjesit, më kolegun kameraman Naser Fejza deri në orën 17:30”- tha Dakaj në emisionin “Kallxo Përnime”.

Gazetarja shpjegon se dy autoblinda janë “bllokuar” me orë të tëra në turmën e qytetarëve serbë që po protestonin, të cilët më pas edhe u kishin vendosur dy flamuj serbë.

“Dy autoblindave që kanë qenë të ngujuara në turmën e qytetarëve serbë i janë vandosur flamuj të Serbisë mirëpo edhe u janë shënuar simbole serbe. Ka pasë qytetarë nga mbrapa neve që gjuanin shishe, gurë, shok- bomba dhe gjithçka që ju ka dalë përpara dhe i kanë hedhur në drejtim të ushtarëve të KFOR-it”- tha ajo.

“Vlen të ceket se menjëherë që kur janë largu autoblindat, në afërsi të njërës ka qenë edhe një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës e cila është djegë totalisht”- shton ajo.

Më tej, Dakaj thekson se me disa gazetarë të tjerë janë futur në një lokal në Zveçan për çështje sigurie, mirëpo qytetarë serbë kanë hedhur gurë në drejtim të lokalit në fjalë duke i dëmtuar edhe xhamat dhe ua kanë pamundësuar raportuesve që të dalin nga aty.

“Në momentin që kemi tentu me dalë nga lokali që jemi futë për me e rujtë sigurinë tonë, nuk kanë kaluar as 20 sekonda, që sapo dilnim nga lokali ata na gjuanin edhe neve gazetarëve. Madje lokali ku kemi qëndru, xhami ju është thy, e kanë gjuajtë me gurë sepse në momentin kur jemi afru tek dritaret që me marrë pamje ata na kanë vërejtë dhe na kanë gjuajtë me çkado që kanë pasë. Situata ka qenë mjaftë e vështirë”- shprehet gazetarja.

Një numër i gazetarëve kosovarë, përfshirë këtu edhe gazetaren Shkodrane Dakaj dhe kameramanin Naser Fejza, kanë mbetur të ngujuar për tri orë në një kafene afër ndërtesës së Komunës së Zveçanit.

Pas gati 3 orëve ata janë larguar nga aty, pa ndonjë problem.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, ka shkruar se kjo u bë e mundur vetëm falë pronarit serb të kafenesë, që u sigurua t’i përcjellë të gjithë deri në veturat e tyre, afër stacionit policor.