Rektori Qerimi tregon për masat që do të ndërmerren ndaj mësimdhënësve plagjiatë
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, tha se ai si rektor nuk mund të ndërmarrë masa të tjera ndaj atyre që bëjnë plagjiaturë pos atyre masave që i aplikon Këshilli i Etikës bazuar në Kodin e Etikës dhe rregulloren për procedurën e masave disiplinore.
Ai ka thënë që kompetencë ekskluzive për masa disiplinore ndaj atyre që bëjnë plagjiaturë ka vetëm Këshilli i Etikës në UP.
“Sipas rregullores, Këshilli ka kompetencë ekskluzive për përcaktimin përmbajtjesor, meritor të asaj nëse është bërë ose jo plagjiaturë” ka thënë Qerimi në emisionin “Kallxo Përnime”.
Qerimi ka shtuar se po synojnë që ta ndryshojnë këtë rregullore.
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në qershor te vitit të kaluar përmes një konferencë për media kishte njoftuar se Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë një vendim sa i përket denoncimit të tyre për plagjiaturë për profesorët e Fakultetit Filozofik, Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.
ORCA tha se më 6 qershor 2022, Këshilli i Etikës i ka kthyer përgjigje ORCA-s duke konstatuar përfundimisht se punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore.
“Por, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
Në vendimet e Këshillit të Etikës thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite si dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike.
Qerimi gjatë intervistës u sfidua lidhur me faktin që Këshilli i Etikës të UP-së po tregohet tolerant ndaj plagjiatorëve duke mos e aplikuar së paku masën disiplinore të nenit 8, pika 1.