Raporti: 23.5 për qind e nxënësve në Prishtinë nuk ndihen të sigurt në shkolla

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth rrezikut në shkolla.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, ka thënë se në bazë të një raporti të vitit 2021-2022, që e ka realizuar OSBE-ja bashkë me Policinë e Kosovës, del që 23.5% e nxënësve nuk ndihen të sigurt në shkolla të kryeqytetit.

“E kanë matur çështjen e sigurisë në shkolla në Prishtinë, e kanë marrë një mostër prej diku rreth 1 mijë nxënës, mësimdhënës e staf tjetër të shkollave në rreth 20 shkolla dhe të gjeturat kanë qenë ashtu siç i presim, na ka vërtetu raporti që kemi problem me bullizmin dhe dhunën në shkolla” – thotë Musmurati.

Ajo më tej ka shtuar se kjo shifër prej 23.5% e nxënësve është mjaft e madhe.

“Kjo tregon që kemi një problem me të cilin duhet me u marrë si institucione lokale e qendrore. Mendoj që në të gjitha komunat e vendit ka statistika të ngjashme. 50% e nxënësve kanë thënë që forma më e shpeshtë e dhunës është fjalosja verbale, 40% kanë thënë që është bullizmi, ngacmimet përmes internetit etj.” – ka thënë tutje ajo.

Musmurati ka shtuar se në bazë të këtij raporti, salla e edukatës fizike dhe tualetet janë vendet në të cilat ndodh dhuna fizike.

“Në shkollat fillore dhuna ndodh në salla të edukatës fizike, ndërsa në shkolla të mesme është edhe salla e edukatës fizike por edhe tualetet” – tha ajo.