Rama për 'Arkitektin e Kryeqytetit': Do të jenë mbi 60 persona në kuadër të projektit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se Komunës i nevojitet ‘arkitekti i kryeqytetit’ pasi administrata e kryeqytetit nuk ka aftësi të bëjë një numër të madh të projekteve.

Rama në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se fondet që i kanë në buxhet nuk mund t’i përdorin nëse nuk kanë projekte për to.

“Administrata e Kryeqytetit për fat të keq nuk ka aftësi për të bërë një numër të madh të projekteve që i duhen qytetit për t’i përdorur fondet që i ka në buxhet sepse nëse nuk ke projekt nuk mund të shfrytëzosh fondin. Edhe tani e kemi këtë problem pasi një numër i madh i vijave buxhetore nuk kanë projekte, pra ka buxhet të dedikuar pa projekt”- ka thënë Rama.

I pari i Prishtinës theksoi se në kuadër të këtij projekti do jenë një konstelacion i kompanive me mbi 60 persona.

“Në kuadër të këtij projekti do jetë një konstelacion i kompanive të ndryshme ku aspekti kyç është edhe digjitalizmi i Prishtinës. Aty me siguri do jenë mbi 60 persona”- shtoi tutje Rama.

Rama tutje shtoi se kontrata 12 milionëshe është për 36 muaj dhe mund të mos mjaftojë pasi do hartohen projekte që shkojnë në miliard.

“Kjo kontrata 12 milionë euro është për 36 muaj dhe ka mundësi edhe të mos mjaftojë. Tentativa është që ne të bëjmë projekte për 1 miliard. Për momentin na duhen projekte për planin zhvillimor komunal, harta zonale e rregullativa të ndryshme”- tha Rama.

Komuna e Prishtinës me tender 12 milionë euro për “Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit”