Qytetari nga Gorazhdeci i Pejës: Matësit e ujit s'u lexuan me vite, kemi faturë mbi 2 mijë euro
Aktivisti i shoqërisë civile si dhe banori i fshatit Gorazhdec të Pejës, Sasha Petroviq, ka thënë se zyrtarët e kompanisë së ujësjellësit në Pejë, “Hidrodrini”, nuk e kanë lexuar gjendjen e orëve të këtyre banorëve me vite të tëra.
Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se tash faturat për ujë, rrymë e mbeturina janë me shuma shumë të larta.
“Pra gjendja e matësve të ujit nuk është lexuar me vite dhe tani kanë ardhur faturat me shuma tejet të larta, disa madje më të larta se 2,000 euro. Tani këto fatura kanë ardhur në mënyrë retroaktive për t’u paguar, ndërsa gjendja e matësve të ujit nuk është lexuar më herët, ku disa prej tyre janë vendosur rishtazi. Në atë zonë jetojnë njerëzit që janë raste sociale, pensionistë dhe ata që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të paguar këto shuma dhe për këtë çështje nuk është bërë asnjë bisedim. Mendoj që ky zotëri nga Vetvendosja, i cili është drejtor i Hidrodrinit…”, – ka thënë Petroviq.
Ai ka shtuar se deri më tani nuk kanë marrë asnjëherë asnjë faturë një pjesë e madhe e banorëve.
“Disa po dhe disa jo. Pra, në mënyrë rastësore. Një numër i vogël i banorëve. Një numër shumë i vogël i banorëve ka marrë fatura. E di që ata i kanë paguar ato, por është fjala për 5-6 banorë dhe këto fatura nuk ju kanë ardhur prej vitit 1999, por shumë më vonë. Sidoqoftë, 80% të banorëve nuk kanë marrë fatura, madje edhe më shumë se aq, me siguri 90%”, – tha tutje ai.
Por ai thotë se tash këtyre banorëve tash po u vijnë faturat reth 1,500 euro.
“Rreth 1,400-1,500 euro. Kryesisht faturat janë të ngjashme dhe sillen rreth 1460 euro. Këto janë fatura paushall ku me siguri kompania “Hidrodrini” ka llogaritur sa ujë ka mundur të shpenzojë një familje mesatare për 25 vjet. Dhe ka ardhur paralajmërimi” – tha aktivisti i shoqërisë civile në Gorazhdec.
Ndërsa gazetari, Damjan Portiq, e që është edhe banor i Gorazhdecit ka thënë se nuk është në rregull që të faturohen të gjitha faturat njëherë.
“Na kanë paralajmëruar se do të ndërprejnë furnizimin me ujë, do të mbyllin valvulat dhe njerëzit që nuk e paguajnë borxhin do të mbeten pa ujë. Mendoj se u është dhënë një afat prej një muaji. Afati duhej të përfundonte më 1 mars, nëse kujtohem saktë. Nuk jam i sigurt. Pra, u është dhënë një afat i caktuar për të paguar këto borxhe. Natyrisht, banorët e Gorazhdevcit janë mbledhur, kanë marrë faturat, kanë bërë kopje të letënjoftimeve dhe këto dokumente i kanë dorëzuar një prej anëtarëve të komitetit për komunitetet.”
“Çka ka ndodhur me këtë nuk di, por mendoj se nuk është në rregull që të faturohen të gjitha faturat njëherë. Le të ndahet ajo faturë prej 1500 euro për 24 vjet, pastaj për 12 muaj dhe pastaj të paguhen në baza mujore, duke filluar me shuma të vogla si 2, 3, 5 euro, aq sa mund të përballohet. Mendoj se në një komunitet ku 70% e familjeve në Gorazhdevc nuk marrin asnjë ndihmë nga institucionet e Kosovës dhe uji i faturohet në shuma të larta si 1400, 1500, 1600 EUR njëherë, nuk është në rregull”, – ka thënë Portiç në emisionin “Kallxo Përnime”.
Pas transmetimit të emisionit “Problemet e qytetarëve të Gorazhdecit” në “Kallxo Pernime”, më 14.06.2024, ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë. Në reagimin e tyre thuhet se nuk qëndrojnë faktet e argumentet e ngritura nga banorët e këtij fshati.
Kompania “Hidrodrini” thekson se faturat e kësaj kompanie shpërndahen në tri gjuhë, shqip, serbisht dhe anglisht. Kompania tregon se nuk ka shpërndarë fatura me borxhe të akumuluara për 25 vite por më së shumti për borxhin prej 32 muajsh. Gjithashtu, në reagimin e tyre theksohet se në fshatin Gorazhdec janë të instaluar 250 ujëmatës, prej tyre 105 borxhlinj që kanë kaluar tek procedurat e përmbarimit ndërsa 145 që kanë shpreh interesim për shlyerje të borxhit.
Reagimin e plotë të KRU “Hidrodrinit” për pretendimet e ngritura në këtë emision mund ta lexoni KËTU.
Shënim: Më 19.06.2024, ora 14:06, artikullit i është shtuar reagimi i KRU “Hidrodrinit”.