Qalaj: Ndërkombëtarët kanë dështuar të trajtojnë krimet e luftës në Kosovë

Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë, tash deputet i PDK-së, ka lënë fajtorë ndërkombëtarët për mostrajtimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas tij, nëse Kosova do të merrej siç është dashur me krimet e luftës, nuk do të ishte formuar gjykata në Hagë.

“Faktori ndërkombëtar ka dështuar në trajtimin e krimeve të luftës në Kosovë, nuk po e amnistoj çështjen e vendorëve, por kur dikush e ka përgjegjësi me ligj me mandat, pra UNMIK-u dhe EULEX-i me kompetenca ekzekutive, policët tanë kanë shku kanë marrë deklarata e dëshmi e të cilat i kanë dorëzuar te kolegët e tyre ndërkombëtarë dhe polici asnjëherë s’e ka parë rastin komplet, pra s’ka pasur qasje” – tha Qalaj në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se Kosova është vonuar shumë në trajtimin e krimeve të luftës.

Ndryshe qindra dosje për krimet e luftës të cilat tashmë janë mbledhur, e bartur dhe priten që të hetohen nga 41 hetues policorë të Departamentit më të ri që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.

Ky departament do të udhëhiqet nga ish-drejtori për Krime Ekonomike, Bashkim Spahiu, i cili deri në këtë vit shërbeu si shef i sektorit për migrim.