Agron Hamiti - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Punësimi joformal, Hamiti nga ATK: Vetëm në 5 muajt e fundit janë regjistruar 2 mijë punëtorë

Drejtori i Departamentit të Riskut në Administratës Tatimore të Kosovës, Agron Hamiti, tha gjatë emisionit “Kallxo Përnime” se çështja e punësimit joformal, ose punës së palajmëruar është mjaft e përhapur. 

Ai ka treguare dhe shifrat vjetore të punëtorëve që regjistrohen si rezultat i angazhimit të ATK-së. 

“Pothuajse çdo vit ne si ATK identifikojnë diku 2 mijë, 2 mijë e më shumë që pastaj regjistrohen. Nga nëntori 2021 kemi projekt të veçantë që merret me punësimet joformale. Nga dhjetori i vitit të kaluar e deri në këtë kohë kemi mbi 2000 punëtorë të regjistruar”, tha Hamiti 

Kurse, udhëheqësi i Inspektoratit të Punës, Agim Millaku tha se 10 për qind e punëtorëve nga gjithë inspektimet që janë bërë në biznese të ndryshme kanë dalë të jenë të paregjistruar në ATK, sipas ligjit. 

“Në bizneset që ne i kemi kontrolluar kanë dalë 10 për qind punëtorëve të paregjistruar, kryesisht në ndërtimtari, bujqësi e hoteleri”, thotë Millaku.  

Kurse Kastriot Berisha, hulumtues dhe zyrtar ligjor në BIRN ka thënë se numri më i madh i ankesave të punëtorëve të paregjistruar ka ardhur pas masave subvencionuese të qeverisë, sikurse rasti me trustin. 

Ai tha se mbi 200 punëtorë janë ankuar në KALLXO.com, ankesa të cilat pastaj janë përcjellë në ATK.  

“Kjo ka rezultuar me deklarimin e tyre si të punësuar”, tha Berisha. 

Berisha ka thënë se ka raportime që punëdhënësit edhe pse lidhin kontrata me punëtorët, nuk i deklarojnë ato në ATK. 

Ndërkaq, Jusuf Azemi kryetar Sindikatës së punëtorëve gjatë emisionit “Kallxo Përnime” tha se regjistrimi i punëtorëve po bëhet vetëm atëherë ku shteti ndan bonuse. 

“70 % regjistrohen anëtarë të familjes të pronarit të kompanisë, por jo edhe punëtorët”, thotë Azemi.