Foto: KALLXO.com, Ilustrim

Pse qytetarët në Kosovë paguajnë më shumë sesa që duhet për t'i nxehur shtëpitë e tyre?

Auditori i certifikuar i energjisë, Farush Azemi vlerëson se kosovarët paguajnë më shumë për shpenzimin e energjisë për të nxehur shtëpitë, për shkak se izolimet e tyre nuk janë të planifikuara ashtu siç duhet.

Sipas tij, për izolimin e shtëpisë duhet të parashihen koeficientet ose materialet e përcaktuara për zonën klimatike në të cilën ndërtohet objekti.

Ai ka thënë se Kosova si vend i ka dy ekstremet, edhe të nxehtin edhe të ftohtin.

“Izolim të mjaftueshme duhet të ketë, në ligjin për efiçiencën e energjisë janë standardet ku tregohen koeficientet për transmetimin e energjisë në çdo pjesë objekti, në dritare, në derë, në mure. Janë standardet, por as nuk zbatohet dhe as nuk monitorohen”, ka thënë Azemi.

Lidhur me Draftin e Strategjisë së Energjisë për vitet 2022-2031, që u publikua me 7 qershor të këtij viti nga Qeveria e Kosovës, auditori i certifikuar i energjisë ka thënë se janë disa mungesa.

Sipas tij, e nevojshme do ishte që në strategji të përfshihet industria dhe transporti.

“Në strategji nuk është përfshi industria edhe transporti, pra nuk janë përfshi bizneset e mesme, e vogla dhe transporti”, ka thënë ai.

Sipas tij, ndërtesat përfshijnë 40% të konsumit të energjisë, transporti është i dyti, ndërsa i treti është industria, pra bizneset e mesme dhe të vogla.

“Në strategji thuhet se me pjesën e transportit duhet me u marr ministria përkatëse, mirëpo unë konsideroj që transporti do të duhej të përfshihej në strategji”, tha ai.

Azemi tregoi se po ashtu se strategjia nuk ka treguar se si do arrihen objektivat e synuara dhe çfarë kosto do te kenë këto objektiva.

“Unë konsideroj se nëse quhet strategji, aty duhet me u tregu edhe rruga qysh me arrit deri te një objektiv edhe kostoja, çmimi si kanë me u arrit fondet. Prandaj edhe quhet strategji”, tha ai.

Për këtë, Azemi ka thënë se do të dërgojnë komente për të parë se cili është plani i qeverisë për tu arritur objektivat e synuara.

Ai gjithashtu tha se Kosova ‘është orientuar drejtë miut, duke e lënë elefantin anash’.

“Unë konsideroj se Kosova është orientu në objektet publike që e përbëjnë 9 ose 7 për qind të konsumit total të energjisë. Tash, nëse shteti është orientu kah miu, elefanti na ka mbet knej, pra nënkuptohet objektet rezidenciale që përbëjnë mbi 40%”, tha Azemi duke shtuar se do duhet të hartohen programe enkas për ndërtesat rezidenciale, enkas për transportin edhe enkas për industritë e mesme dhe të vogla.