Porosia e Weller për kritikuesit e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë

Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Studimeve Kushtetuese në Universitetin e Kembrixhit dhe këshilltar i qeverive të Kosovës në konferencën e Rambujesë dhe në procesin e Vjenës, Marc Weller, ka dhënë një porosi për kritikuesit e marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

“I ftoj të gjithë kritikuesit që së pari të freskojnë memorien dhe të kujtojnë se ishte një qeveri tjetër që në vitin 2013 e pati nënshkruar marrëveshjen e parë të Brukselit e që e premtoi themelimin e këtij Asociacioni. Dhe për këtë arsye është ndoshta pak e pasinqertë tani të ankohesh për këtë marrëveshje” – ka thënë Weller në emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai i ka ftuar të gjithë kritikuesit që të lexojmë me shumë vëmendje Planin e BE-së, i njohur si Plani franko-gjerman, që u propozua për Kosovën e Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, plan i cili është pranuar nga ana kosovare.

“Nëse e shikoni marrëveshjen dhe do të jetë e dobishme që ata që e kritikojnë së pari ta lexojnë atë me shumë vëmendje, do të shohim se fjala Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk përmendet askund në marrëveshje” – ka thënë Weller.

Ndërsa i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, një ditë pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim që duhet të zbatohet.

Ai ka thënë se Asociacioni duhet të formohet në atë mënyrë që të jetë një fitore për të dyja palët, që t’u ndihmojë të dyja palëve të gjejnë kanale bashkëpunimi për t’u shërbyer sa më mirë njerëzve.

Escobar: Asociacioni të krijohet në mënyrë që të jetë fitore për të dyja palët