Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Planifikimi urban në Pejë, Muhaxheri: Asnjë investim që është duke u bërë në Bogë nuk ka leje

Në RTV Dukagjini dhe në KALLXO.com po transmetohet debati i katërt prej një serie debatesh që do të zhvillohen për planifikimin hapësinor të komunave të Kosovës.

Debatet po organizohen prej dy organizatave që punojnë me plane hapësinore dhe trashëgimi kulturore “Qytetarët Aktiv” dhe “Ec ma Ndryshe”.

Sonte për të diskutuar për planin hapësinor të komunës së Pejës në emisionin “Kallxo Përnime” janë kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, Naser Lajqi nga “Syri i Vizionit”, Modest Gashi – arkitekt UNHABITAT dhe Xhelal Llonçari – arkitekt.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se Komuna të cilën e udhëheq e ka planin zhvillimor urbanistik që nga fundi i vitit 2019 dhe se është i aprovuar edhe nga Ministria.

Krahas këtij plani, Muhaxheri tha se kanë ndaluar ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardhin e Pejës.

“Telashja e krejt kësaj pune është që plani zhvillimor komunal i përcakton zhvillimet për tetë vitet e ardhshme dhe na si strategji që kemi pasur problemin numër një, është rreziku i Lumbardhit për me ndërtu hidrocentrale. Me plan zhvillimor komunal e kemi vendosur vulën që në Lumbardhin e Pejës nuk ka hidrocentrale. Pra, nuk mundet me u ndërtu çfarëdo vendimi me u marrë tjetër. Vendimi i Asamblesë është meritori dhe në Lumbardhin e Pejës nuk ka hidrocentrale”, u shpreh i pari i Pejës.

Gazmend Muhaxheri – Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muhaxheri tha se ndërtimet që janë duke u zhvilluar janë në fshatin turistik në Bogë janë të gjitha pa leje.

“Kam mendu që mundem me shpronësu pjesën e teleferikut dhe me e mundësu një zhvillim më të mirë të turizmit. Nuk kemi mundur na si Komunë më kry shpronësimin e shtegut të skijimit ndërsa zhvillimet tjera janë nevojë e njerëzve për me ndërtu. Janë tu investu konform interesave që i shohin momentale. Pa leje janë tu i investu në Bogë. Asnjë leje nuk ekziston”, tha tutje ai.

Aktivisti nga organizata “Syri i Vizionit”, Naser Lajqi tha se si organizatë kanë qenë pjesë në grupin konsultues për planin zhvillimor komunal të Pejës por që më pas nuk kanë qenë të ftuar.

Naser Lajqi – Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ne jemi ftuar që të marrim pjesë në grupin punues për plan zhvillimor komunal dhe kemi kërkuar që të gjithë që hartimi të atij plani të jemi shumë transparent. Ka qenë grupi i parë konsultues mirëpo më pas kur është krijuar grupi, ne nuk është që jemi ftuar të jemi pjesë e atij grupi. E di që grupi ka vazhduar punën. Ne si ‘Syri i Vizionit’ para një kohe kemi bërë disa matje se sa ka kalimtarë, sa ka makina, sa biçikleta. Dhe kemi arritur më kriju një lloj analize se cila rrugë ka nevojë të zgjerohet. Ia kemi dorëzuar aso kohe Drejtorisë së Urbanizmit”, tha ai.

Kurse arkitekti Xhelal Llonçari e ka vlerësuar me zero planin hapësinor të Kosovës. Sepse, sipas tij, në atë plan nuk shpalosen të dhëna se çfarë një komunë duhet bërë saktësisht.

“Në fushën e urbanizimit ka pasur rritje abnormale, pas luftës. Kauza e ligjeve valide është vra. S’ka ligj, arkitekt, s’ka mbikëqyrje. Kur është formu kaosi kemi fillu me planfikim të parë urbanistik, që unë nuk i fajësoj komunat, mos ta quaj zero por afër zeros janë plani urban i Kosovës. Dhe këta [komunat] janë të obliguar me iu përmbajtë qasaj zero”, u shpreh ai.

Xhelal Llonçari Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tutje, arkitekti Modest Gashi, arkitekt UNHABITAT, i cili ka qenë edhe në Drejtorinë e Urbanizimit, foli për krjimin e hapësirave të gjelbra, teksa lavdëroi Komunën e Pejës duke thënë se është krijuar qasja në lumë, çiklizëm etj.

“Prej 2017-ës Peja i ka pasur 7 metra katrorë gjelbërim për kokë të banorit, qëllimi ka qenë që me qenë 11 metra. Në komunën e Pejës është bërë një hap shumë i madh sepse është hartu politika sektoriale për zhvillimin e hapësirave  publike që nuk bie në kundërshtim me ligjet. Edhe aty janë cekur shumë mirë, që qendrat duhet me u mbyllë. Ajo është në maksimum tu u bë në Pejë. Është zhvillu në aspektin e turizmit, që është pozitive për ekonominë, por duhet me u largu prej turbo-turizimit, zhvillimit të menjëhershëm”, tha Gashi.

Ai njoftoi se Peja udhëheq me 11 për qind të lëvizjes me biçikleta, dominon ecja me 60 për qind dhe pjesa tjetër është automjete.

Modest Gashi – Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com