Perteshi: Mungesa e punëtorëve socialë - sfidë për trajtimin e rasteve të huliganizmit në Kosovë
Sfidë për trajtimin e rasteve të huliganizmit në Kosovë po vlerësohet të jetë edhe mungesa e stafit nëpër Qendra për Punë Sociale (QPS).
Kështu të paktën u tha nga njohësit e fushës në emisionin “Kallxo Përnime”, ku po diskutohet për huliganizmin dhe ekstremin e djathtë.
Skender Perteshi, njohës i sigurisë nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë, tha se QPS-të kanë mungesë totale të stafit.
“Këtu po flasim për psikolog, sociolog, për qendra të shëndetit mendor që përveç Prishtinës nuk e di edhe cila komunë tjetër ka, por ka shumë pak staf me u trajtu rastet” – u shpreh ai.
Ai tha se mungesa e këtij stafi nuk paraqet problem vetëm për rastet e personave që bëjnë veprime siç është futja në fusha të sportit, por është problem edhe për të rinjtë që janë të cenueshëm, e që sipas tij shteti nuk po mundet ta adresojë këtë si fenomen.
Madje, Parteshi tha se punëtorët e këtyre qendrave janë të stërngakuar me punë.
“Nga momenti që Policia i ndalon, i interviston, këta persona shumë pak më pas ka progres nga ana e mekanizmave të tjerë” – shtoi ai.
Ai thotë se problemi këtu është edhe tek familjet, në mënyrën se si ata i edukojnë fëmijët e në çfarë kahje i drejtojnë ata.
Në anën tjetër, njohësi i fushës së ekstremizmit të dhunshëm, Vehbi Mujku, vlerëson se që nga e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, duke vazhduar te kryeministri Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e edhe të tjerë – janë të vetëdijshëm për mungesën e stafit në QPS.
“Ka shumë të interesuar, sepse vetëm në konkurset e fundit për pesë pozita janë kanë 40 apo 50 aplikime minimum të cilët kanë qenë kandidatë të dinjitetshëm për me u marrë” – theksoi Mujku.
“Tash duhet të kërkojmë llogari prej njerëzve vendimmarrës sepse buxheti është, nevojat janë shumë të mëdha, qe dy dekada themi: s’kemi staf” – vazhdoi i njëjti.
Mujku madje theksoi se në Kosovë janë të gjitha profilet që kërkohen për punësim në Qendrat për Punë Sociale, që nga psikologët e deri te juristët, por vullneti për punësim është i mangët.
“Le t’i punësojnë, e le ta heqim pengesën e parë që nuk kemi staf. Është momenti i fundit që të fajësojmë stafin e QPS-së, hajde ta hedhim përgjegjësinë te politika vendimmarrëse” – tha ai.