Përplasja mes Dushan Radakoviqit dhe Erden Atiqit se "kryetari është nga Fushë Kosova"

Dushan Radakoviq nga organizata ACDC nga Mitrovica e Veriut në debatin “Jeta në Komunë” pretendoi se kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq është nga Fushë Kosova.

Në komunën e Mitrovicës së Veriut, Radakoviq ka pretenduar se  ka të punësuar zyrtarë nga komuna të tjera, e sipas tij, 80 për qind të punonjësve nuk janë nga Mitrovica e Veriut.

“Nga informatat që kam, Atiq është me banim nga Fushë Kosova. Si është e mundur me ligj që dikush që është nga Fushë Kosova të jetë kryetar i komunës tonë”- tha Dushan Radakoviq nga organizata ACDC.

Ndërsa kryetari Atiq tha se në vitin 2000 është përzënë nga Mitrovica e Veriut në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

“Mas pari unë jam qytetar i Mitrovicës se po e kuptoj ku e ka dhimtën. Unë jam lind dhe jam rrit qëtu në Mitrovicë, s’jam unë i Fushë Kosovës. Pse unë i Fushë Kosovës është për shkak të politikës fashiste të Serbisë dhe Millosheviqit, dhe birit të mallkum që vitin 99, vitin 2000 i kanë vra 10 shqiptarë dhe ma shumë se 100 janë kanë të plagosun, të gjymtym. Ma shumë se 1000 familje janë shpërngul natën e 3 dhe 4 shkurt 2000, prej veriut të Mitrovicës”- u shpreh Atiqi.

Si pasojë e kësaj ndodhie Atiq thekson se ka ndërruar vendbanime në katër komuna të Kosovës.

“Edhe kta e din shumë mirë këtë. Si shoqëri civile ti këta u dashtë me ditë. Edhe unë prej vitit 2000 qe 24 vjet unë jetoj me qera minimum katër komuna të Kosovës. Tani jam në proces me u kthy në pronën tem. Jam mitrovias, kam lind dhe jam rrit këtu. Dhe çmimin e politikës fashiste të Serbisë kam pagu në lëkurë dhe e paguaj edhe sot e kësaj dite. Edhe qëtu ka me vdek unë, s’keni me mujt me më largu”- tha ai.

Radakoviq pretendoi se ‘në letërnjoftim të shkruan Fushë Kosovë’, ndërsa Atiq ia ktheu se ‘më shkruan Mitrovicë’.

Tutje Dushan Radakoviq thotë se pjesa dërrmuese e zyrtarëve të punësuar në komunë janë nga qytetet e tjera dhe jo nga Mitrovica e Veriut.

“Më intereson sa i përket atyre 50 personave që u përmendën, sa prej tyre janë nga Mitrovica e Veriut. Nëse ka mundësi të na tregoni, sepse nga informatat që kam, del se 80 për qind e punonjësve nuk janë nga Mitrovica e Veriut. Ka nga Dragashi, Prizreni, Vushtrria, Skenderaj, Prishtina, natyrisht shumica nga Mitrovica e Jugut, Fushë Kosova”- u shpreh ai.

Me tone të larta Atiq tha se Drejtori i Inspeksionit është nga Dragashi dhe se problemi i aktivistit është se sipas kryetarit ‘jemi komuna e parë në Republikën e Kosovës që kemi stopuar të gjitha ndërtesat që ka financuar Lista Srpska, SNS dhe Vuçiq. Sepse ky drejtor nga Dragashi, është drejtor i Inspeksionit që ka stopuar procesin’.

“Nuk është e vërtetë këto janë ligje që aplikohen në krejt komunat e Kosovës. Kur rekrutojmë staf nuk ka ligje specifike ku na si komunë mundemi me bo përzgjedhje veç kandidatë të cilët janë nga Mitrovica e Veriut. Këtu nuk është e vërtetë që ka zyrtar prej Dragashit e prej dreqit të mallkum. Një drejtor e kam të emërum politik që është e drejtë e jemja. Unë kam të drejtë me emëru drejtor politik në drejtori edhe prej Kaçaniku, Hanit të Elezit deri sa është e drejtë ligjore”- potencoi Atiq.

Aplikimin e më pas diskualifimin e drejtorëve serbë Atiq e arsyeton me faktin se kjo ka të bëjë me marrëvëshjen e Brukselit e cila nuk i njeh diplomat e shtetit serb dhe anasjelltas.

Ndërsa për hezitimin e tyre për të aplikuar në zyrat e komunës, Atiq thotë se është një terren ku oponentë të Listës Serbe janë eleminu.

“Ka serbë që kanë apliku, ka që janë diskualifiku se sistemi është qasi soji se diplomat janë problem politik, nuk është problem i jemi. Ka pasë edhe tjerë, njëri është bërë zëvendësministër, Nenad Vukmiroviq. Ka disa që janë pranu në vende të punës, ka disa që janë pranu këtu si zyrtarë d.m.th me kontratë të përhershme. Na jena në një terren ku oponentë të Listës Serbe janë eleminu. Në 2024 u vra një oponent Janiqijeviq, u eleminu, në 2018 tën vritet Oliver Ivanoviq, pra po dihet çfarë ekosistemi politik është këtu”.

Ai shtoi se 12 drejtori do të emërohen e për momentin janë shtatë. Katër sipas tij janë të gjinisë fëmërore dhe tre të gjinisë mashkullore.