Përgjigjet e Alban Hysenit pse nuk përfunduan stadiumi i Gjilanit, zona ekonomike, parkingu nëntokësor...

Gjatë fushatës zgjedhore, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, kishte premtuar disa projekte në rast se do të zgjidhej kryetar i Komunës së Gjilanit.

Gjatë debatit “Jeta në Komunë”, ai kishte premtuar se çështja e stadiumit të Gjilanit do të përfundonte gjatë vitit të parë të mandatit të tij si kryetar.

Ekipi i KALLXO.com ka dalë në terren për të verifikuar nëse ky premtim është përmbushur.

Në ditën e verifikimit, më 17.10.2024, vërehet se punimet në stadiumin e Gjilanit nuk kanë lëvizur.

Përgjigjja e Komunës është se çështja e stadiumit të qytetit është në fazën e prokurimit nga MKRS.

Premtim tjetër kishte qenë edhe renovimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhegër.

Por premtimi i kryetarit ka mbetur vetëm si i tillë sepse renovimet aty ende nuk kanë filluar.

Ndërsa Komuna e Gjilanit ka thënë se ka hartuar projektin për renovimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhegër dhe ky projekt pritet të vazhdojë shumë shpejt me fazat e tjera.

Kryetari Hyseni premtoi se në vitin e parë do përfundojë trajtimi i ujërave të zeza në fshatin Cërnicë.

Tash kur kanë kaluar 3 vite të qeverisjes së tij është duke u punuar në shtrirjen e rrjetit të kanalizimit në këtë fshat.

Alban Hyseni premtoi që brenda QKMF-së në Gjilan të instalohet aparati i mamografisë, dhe ky llogaritet si premtim i mbajtur pasi që pas verifikimit në terren është vërejtur se pajisja është blerë dhe është funksionale.

Premtim tjetër që nuk ka përfunduar ende është edhe ai për krijimin e zonës ekonomike në Gjilan.

Gjatë debatit, kryetari Hyseni ka thënë se është bërë studimi i fizibilitetit si dhe është ndërruar lokacioni në PZHK, dhe priten fillimet e procedurave.

“Xhepa të vogël të gjelbër” pati premtuar kryetari Hyseni për secilën lagje dhe për secilin fshat, projekt ky që ka nisur dhe nga vlerësimi i këtij premtimi del se “Hetimet vazhdojnë”.

Sipas përgjigjes së Komunës janë gjithsej 10 projekte, ndërsa komuna e Gjilanit ka 42 fshatra, vendbanime apo lagje në qytet dhe Komuna ende nuk ka krijuar zona të gjelbra në secilën prej tyre.

Parkingu nëntokësor në Gjilan për rreth 220 vende te reja me sipërfaqe prej 40 ari ishte premtuar se do përfundojë në mandatin 4-vjeçar.

Projekti nuk ka filluar ende ndërsa Komuna e Gjilanit ka thënë se në buxhetin e nivelit qendror janë ndarë 7 milionë euro për vitin e ardhshëm dhe projekti i detajuar është në fazën e tenderimit.

Gjatë fushatës së fundit zgjedhore Alban Hyseni kishte premtuar dy nënkalime në Gjilan. Ato nuk janë nisur e zor që do të nisen pasi Komuna e Gjilanit ka ndërruar mendje për to.

Sipas Komunës, me ndërtimin e bulevardit të ri eliminohet nevoja për nënkalimet.

Gjatë debatit janë diskutuar edhe çështjet e projekteve të premtuara te liqeni i Përlepnicës dhe Livoçit, çështjet e arsimit, çështjet e ujit të pijshëm, e punësimi i familjarëve të udhëheqjes komunale duke filluar nga punësimi i kunatës së kryetarit, e po ashtu punësimi i kunatës së drejtorit të Arsimit.