Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përfaqësuesi i gastronomëve kritikon politikën e ATK-së për mënyrën e faturimit apo lëshimit të kuponëve fiskalë

Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve tha në emisionin “Kallxo Përnime” se kanë probleme me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) për mënyrën e faturimit apo lëshimit të kuponëve fiskalë.

Ai ka thënë se kanë kërkuar në vazhdimësi që t’i lejohet faturimi përmbledhës sektorit të gastronomisë, pasi klientëve është vështirë t’u lëshohet kupon fiskal për çdo porosi, për një tavolinë.

“Ka shumë tema të cilat kish qenë mirë me i diskutu, por në mungesë të ministrit të Financave… Si për shembull në takime kemi pasur premtimet për ndryshime te mënyra e faturimit. Ne konkretisht kemi kërkuar që mënyra e faturimit te gastronomët të jetë më ndryshe”, tha ai.

Millaku ka shtuar se po ndëshkohen kur po dërgohen fatura përmbledhëse në ATK.

“Problemi është se një kamerier nëse ia dërgon përmbledhjen në fund gjithë çfarë është konsumuar nga një klient, ndëshkohesh sepse është jo-fiskale. Kjo nuk është në asnjë vend të rajonit.  Kjo është alfa dhe omega, do të thotë thelbi i krejt problemit te gastronomët është kjo. Dhe është shumë më e logjikshme, e merr një mbështjellës të faturave dhe ia dërgon përmbledhësin tatimor në fund, edhe klienti është i mbrojtur më së pari nga biznesi”, theksoi ai.

Ai ironizoi duke thënë se sipas ATK-së, kamerierët duhet të kenë të përfunduar Fakultetin e Matematikës për t’ia përllogaritur klientit pagesën për secilën porosi.

“Kopje s’mund të nxirret për çdo faturë. Edhe nëse nxirret kopje, sipas ATK-së, duhet me pasë Fakultetin e Matematikës çdo kamerier për me i mbledhë krejt kuponët fiskalë dhe me i tregu klientit sa kushtojnë”, theksoi ai.

Kurse, udhëheqësi i Divizionit për Arka Fiskale në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Rexhep Krasniqi tha se “obligim i çdo tatimpaguesi është se në momentin që ofron shërbimin ose produktin te konsumatori duhet t’ia ofrojë kuponin fiskal”.

Sonte në Emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet për reformën fiskale në Kosovë, gjegjësisht obligimin e bizneseve për t’u pajisur me arka fiskale ndër vite.

Udhëzimi i ri administrativ për arkat fiskale është iniciuar nga Ministria e Financave, në krye me ministrin Hekuran Murati.

Të ftuar në debat janë: Rexhep Krasniqi, udhëheqës i Divizionit për Arka Fiskale në ATK, Edip Gashi nga kompania “Enternet”, e licencuar për shitjen e arkave, Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve dhe Nexhmedin Hoti, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit.

Në debat janë ftuar edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, por të njëjtit nuk kanë pranuar të marrin pjesë.