Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri

Përballja e Gazmend Muhaxherit me premtimet e veta, në "Jeta në Komunë" - VIDEO

Gjatë fushatës zgjedhore, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri disa premtime për qytetarët e Pejës.

Gjatë debatit “Jeta në Komunë”, para Zgjedhjeve të fundit lokale, kishte premtuar se Peja do të jetë kampione në parqe – duke premtuar se, qyteti do t’i ketë edhe dy parqe me hapësirë diku 40 hektarë: do të jetë “Parku i Shëndetit”  dhe “Parku i Pishave”.

Nga verifikimi në terren dhe nga përgjigjja e Komunës së Pejës kuptohet se projektet ende nuk janë përfunduar.

“Projektet në ndërtimet e ‘Parkut të Shëndetit’ dhe ‘Parkut të Pishave’ nuk ka filluar. Këto parqe janë ekzistuese dhe nevojiten investime.” – thuhet ne përgjigjen e Komunës së Pejës.

Premtim tjetër i Muhaxherit ishte krijimi i Qendrës për Start Up – që, në atë kohë thuhet se do të përfundonte brenda dy vjetëve. Por, premtimi nuk është realizuar ende.

“Qendra për Start Up nuk është krijuar ende. Megjithatë, gjatë këtij viti, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik ka ofruar subvencione për Start Up – duke mbështetur bizneset e reja e inovative në Pejë, si pjesë e angazhimeve tona për zhvillimin ekonomik.” – thuhet në përgjigjen e Komunës.

Parkingjet në Pejë që, sipas premtimit, do të jenë rreth njëmijë sosh – te Shkolla Komerciale dhe tjetri te Stacioni i Autobusëve – është vulosur nga Krypometër se hetimet vazhdojnë. Pasi që, janë bërë vetëm 180 parkingje, e jo sa janë premtuar.

Përgjigjja e Komunës se Pejës thekson se gjatë këtij mandati janë ndërtuar 180 parkingje të reja. Parkingu te Shkolla Komerciale nuk është ndërtuar ende.

Premtim i mbajtur nga Kryetari Muhaxheri është ai për projektin për ndërtimin e Qendrës për Punë Sociale, e cila është përfunduar dhe është funksionale.