Pamjet e aksionit të ATK-së kundër bizneseve me punëtorë pa kontrata

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohen pamje të aksionit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kundër bizneseve me punëtorë pa kontrata.

Aksioni është kryer në disa qytete të Kosovës.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, sektorët me rrisk më të lartë që dyshohet se mund të kenë numër më të lartë të punëtorëve të padeklaruar janë ai i ndërtimtarisë dhe i gastronomisë.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj ka thënë se janë të detyruar që të luftojnë informalitetin në të gjitha fushat që arrijnë të identifikohen duke shtuar se punësimi informal është sfidë për ATK-në.

“Dihet që pjesa e punëtorit të paformalizuar përveç që prodhon dëme buxhetore në mospagesën e detyrimeve tatimore, dëm po aq me peshë të njëjtë shkakton edhe te vetë punëtorët që në mungesë të kontratës së punës, nuk arrijnë t’i realizojnë të drejtat e tyre të cilat ia prodhon një kontratë pune”, theksoi ai.

“Kallxo Përnime” në dy emisione të kaluara kishte raportuar se si në Drenas, Skenderaj dhe Lipjan ATK-ja kishte arritur të zbulojë dhjetëra raste ku punëtorët angazhoheshin në kafiteri pa kontrata të punës, duke iu shkelur të drejtat e tyre.