
Pak investime në arsim e shëndetësi në Komunën e Leposaviqit, shkak se këto dy dikastere janë paralele
‘20 mijë euro investime në shëndetësi e 25 mijë euro investime të planifikuara në arsim. Në fushën e shëndetësisë është planifikuar të blihet një ambulantë, ndërsa sa i përket arsimit është renovimi i një shkolle në Bistricë të Leposaviqit’.
Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi tregon se pse janë ndarë aq pak para për këto dy dikastere.
“Shëndetësinë këtu e kemi paralele. Këto i kena lanë, i kena nda për ambulanten e fshatit Bistricë. Jo nuk është blerë. Jo se nuk po dojnë me bashkëpunu, na kena bisedu edhe me ministrinë me nënkryetaren na i kanë ofru disa barna. Po na e kanë çu listën se çka na duhet. Na duhet me këqyrë më s`pari një objekt me gjetë e me ba ku shpërndajmë falas barna prej Republikës së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë”- u shpreh Hetemi.
Sikurse për shëndetësinë njësoj vlen edhe për arsimin. Këto dy dikastere nuk janë të integruara në sistemin e Republikës së Kosovës dhe funksionojnë si paralele në këtë komunë.
“Vetëm për shkollën fillore në Bistricë “Kadri Bistrica”, e kena paraparë renovimin e shkollës. Kena pasë oferta me ardhë disa organizata për çerdhe por nuk kemi hasur mirëkuptim dhe bashkëpunim me ta. S’kemi ma s`pari aq shumë popullatë (për me hap çerdhe)”- potencon Hetemi për investimet në arsim.
Ndonëse serbët sipas tij nuk duan bashkëpunim për hapjen e çerdhes, Hetemi thotë se në fshatrat shqiptare Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, vitet e fundit jetojnë diku tetë familje, më parë kanë qenë diku 32 familje. Por, sipas Hetemit nuk domethënë që është ky numër sepse po lëvizin njerëzit, shkaqet rruga.
Sipas Kryetarit të Komunës tre minibusë janë të planifikuar për transportimin e fëmijëve falas.
“Një do të shkojë në Mitrovicë-Leposaviq-Leshak, një do të shkojë Leposaviq-Leshak, ku janë komunitet boshnjakë që është në drejtim të Novi Pazarit në anën e majtë të lumit Ibër tre fshatra janë”- tha ai.
Për ndriçimin publik në fshatrat Leshak, Leposaviq dhe Bistricë, i pari i Leposaviqit ka planifikuar buxhet mbi 200 mijë euro në vitin 2025.
“Po, Leshaku është këtu afër është qytezë, ka banorë boll, Leposaviqin do ta ndriçojmë qytetin qendrën këtu, dhe fshatrat në Bistricë ku janë tre fshatrat, qendrat”- përfundoi Hetemi.