Nexhat Llumnica - Këshilli grevist i BSPK-së
Nexhat Llumnica: Shoh plot profesorë duke mbledhur kërpudha për të mbijetuar
Nexhat Llumnica nga Këshilli Grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka thënë se nuk do ketë ngritje të cilësisë në arsim pa rritje të pagave.
Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ potencoi se shumë profesorë po shesin kërpudha për mbijetesë.
“Me të vërtetë më vjen keq që fëmijët janë në shtëpi, i kam edhe unë në shtëpi fëmijët e mi. I përkas Korporatës Energjetike të Kosovës, por jam i bindur që nuk do ketë cilësi të arsimit pa ngritje të standardeve. Arsimtari që i ka 20 orë në shkollë, i ka edhe 20 në shtëpi e ato në shtëpi i mbanë me arsimin, jo duke mbledhë kërpudha. Unë shoh plot profesorë duke mbledhur kërpudha për të mbijetuar”- ka thënë Llumnica.
Sipas tij, inflacioni po pranohet edhe nga Qeveria por nuk ka rritje të pagave.
“Inflacioni po pranohet edhe nga vetë Qeveria, e nuk ka ngritje të pagave. Ne e shohim vetëm akciza e karburantit është 45 %. Tash i shohim çmimet e karburanteve, i shohim të gjitha produktet. Pra, buxheti i Kosovës është ngritur, inflacioni po ashtu”- shtoi më tej Llumnica.
Sipas tij, Qeveria nuk mund të bëhet viktimë duke i përdorur fëmijët.
“Nuk mund të bëhet Qeveria asnjëherë viktimë për këtë arsye, duke i përdorë fëmijët po bëhet viktimë, fëmijët rrijnë në shtëpi për fajin e Qeverisë, jo për fajin e arsimtarëve, arsimtarët nuk kanë paga, ata po kërkojnë rritje e jo Rrahman Jasharaj” – shtoi Llumnica.
Llumnica përmendi edhe protestat që janë mbajtur gjatë vitit, por Qeveria nuk i ka ftuar për dialog.
“Ne kemi pasur protestë më 8 prill, 20 maj me 18 mijë persona dhe Qeveria asnjëherë nuk i ka thirrur në dialog”- ka deklaruar Llumnica.