Donjeta Sahatciu

Nënkryetarja Sahatçiu tregon pse zgjati procesi i ndarjes së drejtorive mes PDK-së dhe LDK-së

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu, ka thënë se në procesin për ndarjen e drejtorive me LDK-në është folur më shumë nëse janë “në një vijë”, e jo për emra.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se drejtoritë që i kanë kërkuar ishin ato me të cilat do shpalosnin programin e tyre.

“Procesi ka zgjatur pasi është një proces ku nuk është diskutuar për emra, por është diskutuar për faktin nëse kemi sinergji dhe nëse jemi në të njëjtën vijë. Drejtoritë të cilët janë kërkuar dhe kemi insistuar t’i marrim, kanë qenë drejtoritë prej të cilave ne do mund të shpalosnim programin tonë”, ka thënë Sahatçiu.

Sipas saj, të pesë drejtoritë që ka marrë PDK kanë nevojë për digjitalizim.

“Të gjitha drejtoritë që i kemi marrë kanë nevojë të madhe për digjitalizim, gjithashtu kanë të bëjnë me shërbim ndaj qytetarëve”, shtoi ajo.

Përpos Sahatçiut, nënkryetar tjetër i Prishtinës është edhe Alban Zogaj nga LDK.

Komuna e Prishtinës me Ligjin për kryeqytetin i aprovuar në vitin 2018 ka të drejtë të ketë dy pozita të nënkryetarit.

Aktualisht, 11 drejtori i takojnë subjektit fitues të zgjedhjeve në krye me Përparim Ramën e LDK-së dhe 5 i takojnë partnerit të tyre, PDK-së.

Nga radhët e PDK-së, Ilirik Musliu është emëruar drejtor i Shërbimeve Publike, drejtoreshë e Arsimit do të jetë Besianë Musmurati, drejtor i Bujqësisë -Plator Gërdovci, kurse gjatë ditëve në vijim pritet të emërohet edhe udhëheqësi/ja e Drejtorisë së Kulturës.