Neglizhenca e hetimit për vdekjen e 32-vjeçares, i dyshuari u dënua me 600 euro gjobë

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet hulumtimi që hedh dritë rreth neglizhencës së shtetit për ta hetuar deri në fund se si ndodhi aksidenti i datës 11.03.2017, rreth mesnatës, në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Stanovc të Vushtrrisë.

Hamide Ajeti, 32-vjeçare ishte goditur nga një veturë. Vajza kishte qëndruar 83 ditë në komë dhe me pas kishte vdekur në QKUK.

Familja Ajeti nga Stanovci i Vushtrrisë po kërkon drejtësi për vdekjen e vajzës.

Familjarët e viktimës kanë ankesa në akuzën e ngritur dhe dënimin që ka marrë nga shteti personi që ishte akuzuar për aksidentin.

Prokuroria e Mitrovicës personin Shkelzen Brestovci e kishte akuzuar vetëm  për veprën penale – mosdhënie të ndihmës pas aksidentit dhe largim nga vendi i ngjarjes.

Dhe Brestovci u dënua me gjashtë muaj burgim, por me pranimin e të pandehurit dënimi u zëvendësua me 600 euro gjobë.

Në ekspertizën e urdhëruar nga Prokuroria e Mitrovicës shkruhet se automjeti nuk e ka kaluar shpejtësinë e lejuar, fajtor për aksidentin e lë viktimën. Ndërsa në ekspertizën e urdhëruar nga Gjykata thuhet se automjeti e ka kaluar shpejtësinë e lëvizjes dhe shkaktari i aksidentit ka qenë ngasësi i automjetit.

Prokuroria e Mitrovicës nuk ka kthyer përgjigje për masat e marra, por familjen e viktimës e ka njoftuar se ndaj prokurores  Radica Miliq është nisur një procedurë disiplinore.

Vëllai i viktimës, Rrahim Ajeti, ishte interesuar në Prokurorinë e Mitrovicës. Ai pretendon se e ka takuar kryeprokurorin dhe prokuroren e rastit por ata i kishin thënë se u vjen keq për atë se çka ka ndodhur.

Rrahim Ajeti – Foto: KALLXO.com

“Ne nuk jemi njoftuar për lëndën penale, vetëm kur e kemi pranuar në postë vendimin që personi është dënuar me 600 euro. Gjykata nuk na ka thirrur hiç. Ne mandej kemi bo ankesë në Gjykatën e Apelit por edhe ajo e ka hedhur poshtë ankesën tonë. Ne kemi me vazhdu me kërku drejtësi. Në prokurori me kanë thanë se u vjen keq qysh ju ka ikë ky lëshim dhe kryeprokurori i Mitrovicës më ka njoftuar se ndaj prokurores është nisur një hetim disiplinor” – theksoi Ajeti.

Sala Ajeti, nëna e viktimës, kërkon drejtësi për vdekjen e vajzës. Dënimin prej 600 eurove për të akuzuarin nuk mund ta marrë me mend. Ajo ende nuk e di sa është dënuar i akuzuari por ne një situatë hipotetike thotë se dënimi i tillë nuk do mund të ndodhte.

“A folët ajo nalu veç ti vet qite dorën në zemër një viç a një lopë me shkelë qaty edhe 600 euro s’o kurrgjëë se jo njeriun me e mbytë, me ia marrë shpirtin 600 euro me e dënu”- theksoi nëna e viktimës.

Sala Ajeti – Foto: KALLXO.com

Familja e 32-vjeçares ishte përfaqësuar në lëndë civile nga avokatja Fatmire Braha. Familja pretendon se nuk ishin njoftuar fare për zhvillimin e seancave penale dhe vetëm e kanë kuptuar kur e kanë marrë vendimin me shkrim nga Gjykata e Mitrovicës, dega në Vushtrri.

“Në këtë rast kemi dy ekspertiza, njëra në lëndën civile dhe tjetra në lëndën penale. Ato kanë kundërthënie njëra me tjetrën, njëra thekson se shpejtësia ka qenë 100 km/h në zonën 80 km/h, e në tjetrën thuhet se shpejtësia ka qenë diku 65 km/h në zonën 80 kilometra në orë” – tha Braha e cila ka shtuar se Prokuroria e ka akuzuar të dyshuarin vetëm për një vepër penale.

Avokatja Fatmire Braha – Foto: KALLXO.com

“Prokuroria e Mitrovicës nuk e ka akuzuar të pandehurin për veprën penale – rrezikim të trafikut publik por e ka akuzuar vetëm për veprën penale – mosdhënia e ndihmës. Mendoj që Prokuroria është bazuar në një ekspertizë të një eksperti të komunikacionit ku fajtore primare të aksidentit e lënë viktimën  edhe pse edhe në atë ekspertizë ka lëshime të shoferit të automjetit”- theksoi Braha.

Hulumtuesit e “Kallxo Përnime” kanë tentuar të marrim një përgjigje nga tash i dënuari Shkelzen Brestovci.

Nëpërmjet avokatit të tij Fatos Zeqiri jemi njoftuar se ai ndihet keq për këtë rast dhe nuk dëshiron të flasë.

“Fola me Shkelzenin, tha nuk po preferoj me dalë me fol se për mua hala është temë e ndjeshme. Tha unë e kam kry me Gjykatë, me Prokurori, tha çka kam pasë nuk po do me dalë” – theksoi Zeqiri.

Familja kishte bërë ankesë për vendimin e Gjykatës së Mitrovicës – dega në Vushtrri, sepse aktakuza nuk ka pasur edhe veprën e shkaktimit të rrezikut publik por Gjykata e Apelit e kishte hedhur poshtë për moskompetencë lëndore ndërsa pjesën tjetër e kishte vërtetuar ku i dyshuari e kishte pranuar fajësinë.

Për këtë rast janë dy ekspertiza, njëra e urdhëruar nga Prokuroria e Mitrovicës dhe tjetra e urdhëruar nga Gjykata e Mitrovicës – dega në Vushtrri për lëndën civile. Ekspertizat kanë kundërthënie njëra me tjetrën.

Në ekspertizën e urdhëruar nga Prokuroria e Mitrovicës shkruhet se automjeti nuk e ka kaluar shpejtësinë e lejuar, fajtor të aksidentit e lë viktimën. Ndërsa në ekspertizën e urdhëruar nga Gjykata thuhet se automjeti e ka kaluar shpejtësinë e lëvizjes dhe shkaktari i aksidentit ka qenë ngasësi i automjetit.

Të dy ekspertizat kanë edhe të përbashkëta: të dyja konstatojnë se vetura ka qenë pa sigurim dhe pa regjistrim  e po ashtu konstatojnë se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjithashtu konstatojnë gjendjen e rëndë të viktimës.

Ekspertizën për lëndën civile e ka hartuar eksperti Ahmet Maxhuni. Ai ka thanë se i qëndron mbrapa asaj çka ka konstatuar në ekspertizë.

“Unë qëndroj tash pranë ekspertizës time edhe 100 vjet mbrapa se e di të saktë qysh e kam punuar çdo ekspertizë jo vetëm atë, po këtu është dallimi nëpërmjet penales dhe civiles nuk po e di në penale deri ku ka shkuar a është punuar edhe një ekspertizë e dytë pra unë nëse gjykata merr vendim me e thirr të civiles me penale sepse ligji e lejon unë jam i gatshëm të mbroj ekspertizën time pavarësisht që nuk është penale”- ka thënë Maxhuni.

Ndërsa ekspertizën për Prokurorinë e Mitrovicës e ka hartuar eksperti Faik Tërstena.

Ai nuk ka pranuar të flasë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Pavarësisht ekspertizave, familja e viktimës po pretendon se prokurori është dashur ta akuzojë të pandehurin edhe për veprën tjetër penale të shkaktimi të rrezikut publik e jo qysh është akuzuar vetëm për veprën penale – mosdhënia e ndihmës.

Në bazë të këtyre pretendimeve emisioni “Kallxo Përnime” kishte tentuar të marrë një përgjigje nga prokurorja e rastit Radica Miliq dhe nga kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani, por kanë kthyer vetëm një përgjigje të shkurtër me shkrim.

“Është njoftuar Kryeprokurori dhe ka vepruar konform autorizimeve ligjore” – thuhet ne përgjigjen e Prokurorisë së Mitrovicës.

Vajza nga Vushtrria kishte qëndruar në komë për 83 ditë pasi ishte goditur me veturë në rrugën magjistrale Prishtinë – Mitrovicë, përkatësisht në fshatin Stanovc. Personi që e kishte shkaktuar aksidentin e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por me pranim edhe të tij dënimi i ishte zëvendësuar me 600 euro gjobë.