Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndëshkimi trupor i fëmijëve, lëndim fizik e emocional

Ndëshkimi trupor i fëmijëve konsiderohet si lëndim fizik e emocional dhe si dukuri duhet ndalur.

Vlera Dani, aktiviste për të drejtat e fëmijëve, tha se numri i dhunës në shkolla ka rënë për shkak të raportimeve.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se dhuna ndikon direkt në zhvillimin e personalitetit të fëmijës.

“Nëpër shkolla është ulur numri pasi po raportohen, kurse nëpër shtëpi ende shumë prindër e kanë ‘dajaku ka dalë prej xhenetit’. Dhuna është lëndim fizik por edhe ndikon në personalitetin e një fëmije, vetëm frika se kanë më të rreh përjetohet si ankth. Profesorët ndalen kur e dijnë se do dënohen për këtë fenomen”, tha Dani.

Ndërsa, Rifadije Sopi-Krasniqi nga Këshilli i Prindërve të Prishtinës tha se dhuna më e dëmshme ndaj fëmijës është ajo psikologjike.

Ajo shtoi se është e lumtur me qasjen e prindërve të rinj në këtë drejtim.

“Dhuna është në shumë forma, shumë më e dëmshme është ajo psikologjike, e kemi të kultivuar edhe si mentalitet ndër breza. Jam e lumtur kur i shoh prindërit e rinj si e trajtojnë problemet me fëmijë”, tha ajo.