Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Musliu: Fëmijët janë lënë anash, psikologët në shkolla nuk po angazhohen me justifikimin se s'ka buxhet

Arian Musliu, psikolog i specializuar i fëmijëve, ka thënë se Kosova e ka një ligj që për çdo shkollë me mbi 500 nxënës duhet të ketë psikolog.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” tha se shumë psikologë janë të papunë e Qeveria justifikohet për mungesë buxheti.

“Ne e kemi një ligj që thotë se secila shkollë që i ka mbi 500 nxënës duhet të ketë një psikolog. Ka një numër të madh të psikologëve që janë të papunë, por në anën tjetër është një justifikim i mungesës së buxhetit për këto shkolla”, tha ai.

Musliu shtoi se deri te koha e izolimit te psikologu është shkuar vetëm në raste serioze.

“Na u desh të ndodhë një pandemi për ta kuptuar se shëndeti mendor nuk është luks, deri para pandemisë, shkuarja te psikologu është konsideruar vetëm për probleme serioze”, shtoi Musliu.

Arian Musliu më tej shtoi se fëmijët janë lënë anash gjatë kohës së pandemisë.

Ai tha se të rriturit kanë marrë vendime për ta, shpesh duke mos vlerësuar ndikimin që mund ta kenë në shëndetin mendor.

“Fëmijët janë lënë shumë anash gjatë kohës së pandemisë. Ankthi, depresioni dhe mosnjohja e realitetit i ka përcjellë shumicën, pra shpesh kur kemi diskutuar me fëmijë nuk u kemi treguar se çfarë po ndodhë, por edhe  vendimet për izolim janë marrë prej të rriturve, duke mos vlerësuar ndikimin e tyre te fëmijët”, tha Musliu.

Musliu tha se shumica e fëmiëjve e kanë aftësinë të adaptohen me situata të reja, por ka edhe të tillë që mund të mbesin me pasoja.

Psikologu Musliu potencoi se në rastet kur vëreni ndryshim te fëmija juaj, referohuni te ndonjë psikolog për fëmijë.

“Fëmijët adaptohen me situatën, por janë disa prej tyre që mbesin me pasoja, si fillim duhet të shkohet tek prindërit dhe mësimdhënësit, nëse shohin ndonjë sjellje ndryshe tek fëmija të referohen tek psikologu për testim konkret. Ne kemi psikolog klinik të specializuar për fëmijë kryesisht nëpër klinika private, ndërsa në QKUK janë më shumë të përgjithshëm”, tha Musliu.