Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministrja e Drejtësisë flet për mendimin e Komisonit të Venecias për Këshillin Prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ndryshimet në sistemin prokurorial kanë ngjallur shumë debat.

Ajo në emisionin “Kallxo Përnime” tha se Ligji për sistemin prokurorial parasheh ulje të numrit të anëtarëve nga 13 në 7.

“Ne kemi nisur ndryshimin e pakos ligjore për sistemin prokurorial, por debatin më të madh e ka marrë Ligji për sistemin prokurorial, pasi strategjia parasheh uljen e numrit të anëtarëve, aktualisht janë 13. Problemin më të madh në këtë sistem e kemi me mosefikasitet, mungesë transparence dhe menaxhim jo i mirë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK). Në bazë të Ligjit të ri ne konsiderojmë që duhet të jenë 7 në vend të 13 anëtarë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, për këtë çështje Komisioni i Venecias ka dhënë dritë të gjelbër, kurse ajo çfarë ky Komision nuk e konsideron në rregull është largimi i kryeprokurorit nga KPK.

“Sa i përket kësaj çështje për numrin e anëtarëve, Komisioni i Venecias ka dhënë dritë të gjelbër, çështja tjetër që po ashtu ka pasur debat është pasiviteti i kryeprokurorit në KPK. Ne kemi konsideruar që ai nuk ka nevojë të jetë në KPK sepse edhe strategjia për sundimin e ligjit konsideron se ka shumë ndikim, prezenca e tij bënë që të merren vendime ashtu si mendon ai”, tha Haxhiu.

“Komisioni i Venecias thotë se nuk është në rregull që kryeprokurori të hiqet nga Këshilli Prokurorial jo pse është në shpërputhje me standardet ndërkombëtare, por për hir të efikasitetit dhe menaxhimit”, shtoi tutje Haxhiu.

Haxhiu tutje potencoi se me Ligj kanë të drejtë të bëjnë ristrukturim të KPK-së, duke u humbur mandatin antarëve dhe nisur procesin e përzgjedhjes.

Për këtë, sipas saj, Komisioni i Venecias vlerëson që është e mundshme nëse arrihet depolitizim i sistemit, nëse jo, disa anëtarë të mbesin.

“Ne kemi të drejtë që me Ligj të bëjmë ristrukturim të KPK-së që nga 13 anëtarë të bëhet në 7 dhe rrjedhimisht disa prej tyre ta humbin mandatin, në fakt edhe për të gjithë dhe ta nisim përzgjedhjen. Komisoni thotë se kjo është e mundshme nëse sigurohet se kjo çon në depotlizim të sistemit, e nëse jo , disa të mbesin”, shtoi tutje Haxhiu.