Rifat Latifi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Ministri Latifi thotë se nuk është në dijeni që mjekëve u janë ndalur shtesat prej 300 eurove

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur lidhur me shtesat prej 300 eurove për mjekët dhe infermierëve të Kosovës.

I pyetur se pse mjekëve u janë ndalur shtesat prej 300 eurove, të cilat u janë dhënë gjatë pandemisë së COVID-19, Latifi tha se nuk e di që u janë ndalur ato.

“Unë nuk e di se ju kanë ndalë shtesat, unë nuk kam nënshkruar asgjë që thotë me iu ndalë shtesat. Unë e marr tashmë këtë dhe merrem me të”, tha ai.

Ndërsa sa i përket çështjes se sa do të jetë rroga e mjekëve me Ligjin për paga, ai tha se ende nuk mund ta komentojë këtë.

“Unë pres që me u ngrit dhe trajtimi i mjekëve të jetë më i mirë, dhe mos me u detyru që mjekët me punu në pesë apo gjashtë puna”, ka thënë Latifi.

“Ne duhet të bëjmë një reformë të zgjedhjeve të lidershipit dhe udhëheqësisë të shëndetësisë së Kosovës”, tha Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Latifi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur edhe për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Sistemin Informativ Shëndetësor.

Ministri ka thënë se ky Ligj është obligativ pasi sipas tij ndryshe nuk mund të realizohet dhe ndërtohet shëndetësia në Kosovë.

Latifi ka thënë se brenda dy viteve Ligji për sigurime shëndetësore duhet të jetë funksional, të paktën pjesërisht.