Mbeturinat në Dragash përplasin pozitën me opozitën

Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, në vitin 2021 kishte premtuar që kjo komunë do të bëhet ndër komunat më të pastra.

Vite më vonë, kjo komunë ka deponi të mbeturinave por edhe fshatrat kanë probleme me mbledhjen e mbeturinave.

Pamje jo të mira të mjedisit KALLXO.com ka parë në fshatin Radesh, te lumi në Bellobrad e te liqeni i Breznes.

Në ‘Jeta në Komunë’ pati përplasje të asamblistëve me kryetarin e Komunës, Bexhet Xheladinin, sa u përket mbeturinave.

Teksa kryetari deklaronte se kompania për mbledhjen e mbeturinave ka kapacitete por ka fshatra të anës së Gorës që po refuzojnë të futen në sistem, asamblisti goran Nexhmidin Sejdilar nuk u pajtua me Xheladinin.

“Problemi më i madh me mbeturina në terrenin tim është që kompania nuk ka kapacitet me i bartë mbeturinat me kohë dhe qytetarët janë të shqetësuar dhe për këtë arsye nuk pranojnë me hy në sistem por edhe pagesa për 5 euro e gjysmë është e shtrenjtë’ – deklaroi Sejdilar.

Nexhmidin Sejdilar, asamblist në Dragash, Foto: KALLXO.com

Xheladini nuk u pajtua me Sejdilarin.

‘Nuk është e vërtetë, kompania është e gatshme, i ka kapacitetet me shku gjithkund. Do ta bëjmë një provë, pagesën ta kryej për një vit komuna që qytetarët me u bind sa mirë është me u mbledh mbeturinat’ – deklaroi Xheladini.

Asamblisti i LVV-së, Uran Halimi, që vjen nga fshati Blaq, thotë se edhe pse e paguajnë mbledhjen e mbeturinave, ato shpesh nuk mblidhen.

‘Shërbimet janë goxha të dobëta. Në fshatin tim nuk futet kamioni me i marr mbeturinat, duhet familjarët me i dërgu nja 200 metra, aty ku e ka ma lehtë kamioni me kthy, me arsyetimin që s’po kthehet kamioni kurse unë ua kam lënë dyert hapë që me kthy në oborr timin. Përkundër pagesave, ekzistojnë deponi ilegale’ – deklaroi Halimi.

Uran Halimi, asamblist VV në Dragash, Foto: KALLXO.com

Ai kërkoi që edhe inspektorati i mjedisit të aktivizohet.

Kryetari Xheladini në anën tjetër thotë se shtëpi për shtëpi mblidhen mbeturinat.

‘Ka mundësi 10-15 metra ose 20 metra deri në 50 metra më së shumti munden me i dërgu, aty ku nuk hyn kamioni’ – deklaroi ai.